2018-05-22 16:03:00

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kard. Parolin, takon Kryeministrin e Kosovës, Haradinaj


Sekretari i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin priti sot në Vatikan Kryeministrin e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj. Gjatë bisedimeve të përzemërta u trajtuan tema të ndryshme si situata aktuale e Kosovës, aspiratat e saj drejt familjes evropiane, dialogu e stabiliteti në rajon, “kërkimi i partneritetit diplomatik me Shtetin e Vatikanit, për këtë, njohja nga Selia e Shenjtë është hap i nevojshëm”. “Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit si dhe promovues i fqinjësisë së mirë. Liria fetare dhe orientimi ynë euro-atlantik janë vlera të pacënueshme”. 

Po kështu, u fol për vlerën e familjes e për rolin e komuniteteve fetare në vend e për kontributin e Kishës katolike në veçanti. Kardinali Parolin tha se Selia Shenjtë përcjell nga afër e me vëmendje zhvillimet në vend, vlerëson arritjet e siguron mbështetjen në rrugën euro-atlantike e në kultivimin e vlerave, që afrojnë, bashkojnë e çojnë përpara bashkëjetesën mes entiteve të ndryshme të vendit.Kryeministri i Kosovës Haradinaj kujtoi edhe 10-vjetorin e pavarësisë së vendit, arritjet e sfidat që ka shoqëria e re demokratike, me vokacion evropian.

Kryeministri Haradinaj tha, mes tjerash, se “Kardinalit Parolin i shpreha përkushtimin e vendit që të ruajmë dhe t'i avancojmë marrëdhëniet tona, ndërsa Hirësia e Tij, na inkurajoi për rrugën tonë euro-atlantike”. Por le ta dëgjojmë Kryeministrin e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj në mikrofonin e Vatican News të dom David Gjugjës....








All the contents on this site are copyrighted ©.