2018-05-22 10:51:00

Më 22 maj kalendari përkujton Shën Ritën nga Kashia, vejushë e rregulltare


Më 22 maj kalendari kishtar përkujton Shën Ritën nga Kashia, vejushë e rregulltare. Shën Rita nga Kashia, shenjta, e cila vijon të fitojë çdo ditë të devotshëm të ri, për shkak të hirit që ka marrë dhuratë nga Zoti, lindi më 1381 në Rokaporena, pranë Perugjës.

U rrit në frikë të Zotit pranë prindërve të saj, në moshë të shkuar. I respektoi aq, sa për të përmbushur vullnetin e tyre, hoqi dorë nga jeta rregulltare, e cila i pëlqente aq shumë e u martua me Paolo Ferdinandin, njeri i tërbuar, që një ditë prej ditësh u gjet i vdekur në një hendek. Të bijtë, tashmë të rritur, u betuan t’ia marrin gjakun.

Rita bëri çmos t’i bindte të hiqnin dorë, por qe e pamundur. Atëherë iu lut me gjithë zemër Zotit t’ia marrë, më mirë se të bëhen gjakësorë. Lutja e saj, në këndvështrimin njerëzor krejt e pakuptueshme, u dëgjua. Djemtë i vdiqën.

Atëherë Rita hyri në kuvend e ia kushtoi veten lutjes e dashurisë për Krishtin e kryqëzuar, i cili ia shënoi mrekullisht fytyrën e vet me një gjemb në lule të ballit. E figura hyjnore i mbeti aty, deri në vdekje, në sa pas vdekjes trupi i saj mbeti si të ishte i gjallë.

Zoti, duke ia pranuar lutjen për të arritur të paarritshmen, e bëri Pajtore qiellore të gjithë atyre që vuajnë për shkaqe, në dukje pa rrugëdalje.

Ndërmjetësuese e përshtatshme për shumë njerëz kudo në botë, e edhe për shqiptarët, që vijojnë gjakmarrjen - nëna e shenjtë, e cila i dhuroi Zotit jetën e re të bijve të vet, vetëm e vetëm që të mos bëheshin gjakësorë.

Çdo vit në Itali njerëzve që falin gjaqet u jepet çmimi “Shën Rita”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.