2018-05-20 07:30:00

Rrëshajët: të krishterët të thirrur të jenë dëshmitarë të fesë në botë


Sot kremtojmë festën e madhe të Rrëshajëve që na sjell në plotësimin e kohës së Pashkëve, pesëdhjetë ditë pas së Dielës së Ngjalljes. Ky solemnitet na bënë ta përkujtojmë e ta rijetojmë ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt e dishepujt tjerë, mbledhur në lutjes me Virgjërën Mari në Çenakull.

Kudo në botë jehon himni “Eja o Shpirt i Shenjtë” me të cilin Kisha lëvdon Atin Qiellor, sepse Krishti e mbajti premtimin dhe u dërgoi dishepujve të vet gurrën e pashtershme hyjnore, uji i së cilës i shoqëron për amshim. Nga Rrëshajët deri në fund të kohërave, populli i Zotit ka si mision të jetë shenjë dhe mjet për përhapjen e Dashurisë hyjnore deri në skajet më të largëta të botës e deri në skutat më të thella të zemrës njerëzore. Dhurata e sakramenteve e bën të gjallë e veprues Krishtin, përmes besimtarëve: me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Ai bëhet i afërt me të vuajturit e bekon gëzimin e dashurisë njerëzore.

Me Rrëshajët, Kisha themelohet jo nga vullneti njerëzor, por nga forca e Shpirtit të Zotit. E menjëherë duket se si ky Shpirt i jep jetë një bashkësie, që është njëkohësisht një e universale, duke kapërcyer mallkimin e Kullës së Babelit. Në fakt, vetëm Shpirti Shenjt, që krijon bashkim në dashuri e në pranimin e ndërsjelltë të ndryshimeve, mund ta çlirojë njerëzimin nga tundimi i vazhdueshëm i pushtetit tokësor, që dëshiron të dominojë e të uniformojë gjithçka.

Rrëshajët janë shenjë “bashkimi” e “dashurie” që mposhtin “konfuzionin”, ndarjet dhe përçarjet të shkaktuara nga njeriu. Shpirti Shenjtë është protagonisti i vërtetë i Kishës dhe Ai ia mundëson Kishës të përshkojë historinë e njerëzimit e të pasurohet me mirësi, drejtësi, paqe, sepse Kisha nuk është vetëm programim e aktivizëm, por para së gjithash është pranim i dhuratës së Shpirtit të Zotit, Shpirtit të dashurisë. 

Shpirti Shenjt, pra, bën, nga dishepujt, një popull të ri, e pastaj krijon në dishepujt një zemër të re: Krishti i Ngjallur, kur iu duk për herë të parë të vetëve, u tha: ”Merreni Shpirtin Shenjt. Atyre të cilëve do t’ua falni mëkatet, do t’u falen (Gjn 20, 22-23)”. Rrëshajët na kujton edhe përmasën universale të popullit të Zotit, që nuk njeh më kurrfarë kufiri as të racës, as të kulturës, as të hapësirës, as të kohës. Rrëshajët, simbol i besëlidhjes së re pas asaj të Sinajit, i dhurojnë njerëzimit ‘aftësinë’ e mirëkuptimit reciprok”, aftësinë të flas të njëjtën gjuhë e t’i kapërcejë përçarjet e Kullës së Babelit, simbol i shkatërrimit, i grindjeje mes njerëzve.

Shpirti Shenjt për të krishterët është edhe simbol i bashkimit, simbol i aftësisë të të folurit me dhe në të njëjtën gjuhë, si dhe simbol i mirëkuptimit në diversitet e jo kundërshti, sundim, manipulim deri në “fabrikimin” e vet jetës njerëzore. Jezusi, i ngjallur dhe i ngjitur në qiell, i dërgon Kishës Shpirtin e vet, në mënyrë që çdo i krishterë të mund të marrë pjesë në vet jetën hyjnore e të bëhet dëshmitar i bindur në botë. Shpirti Shenjt depërton në histori, e asgjëson zemërftohtësinë, nxit dhe favorizon në ne pjekurinë e brendshme në marrëdhënie me Zotin dhe të afërmin tonë.

Rrëshajët janë thirrje për të gjithë besimtarët për t’u kthyer tek zanafilla e Kishës, e për t’u imenjuar në misionin ungjillëzues, secili sipas dhantive që ka fituar nga Shpirti Shenjtë, i Cili porsi lum e përshkon historinë për ta begatuar Kishën e çdo njeri me hirin e Zotit, duke bërë të frytshme jetën, me mirësi, bukuri, drejtësi e paqe. Ky pra, është misioni që Kisha ia beson besimtarëve e njerëzve vullnet mirë, në solemnitetin e Rrëshajëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.