2018-05-17 14:20:00

Dokument i Vatikanit: “Paratë duhet të shërbejnë, jo të sundojnë”


Para “pafuqisë e amullisë të sistemeve të sotme ekonomiko-financiare”, tundohemi të dorëzohemi e ta lemë veten në duart e “cinizmit”, duke menduar se me forcat tona të mekura mund të bëjmë pak e gjë. Në të vërtetë, nuk është kështu, sepse secili “mund të bëjë shumë, sidomos nëse nuk mbetet i vetëm”. Këto janë premisat e dokumentit të ri të Vatikanit me titull “Oeconomicae et pecuniariae quaestiones”, që u paraqit sot në një konferencë shtypi. Nëntitulli i dokumentit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe të Dikasterit në Shërbim të Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor e bën menjëherë të qartë synimin e Papës Françesku, i cili e ka miratuar dhe e ka çuar për publikim: “Konsiderata për shoshitjen etike të disa aspekteve të sistemit aktual ekonomiko-financiar”.

Dokumenti u paraqit nga kard. Turkson e nga imzot Ladaria

         Teksti u paraqit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, nga prefekti i Dikasterit në Shërbim të Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, si edhe nga prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer. Në takimin me gazetarët morën pjesë edhe dy profesorë universitarë, ekonomistë të njohur italianë.

Dashuria për të mirën e gjithanshme është çelësi i zhvillimit

         Duke iu referuar Enciklikës “Laudato si’” të Papës Françesku, në dokument nënvizohet se “dashuria për shoqërinë dhe impenjimi për të mirën e përbashkët janë forma më e lartë e bamirësisë, që ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet ndërmjet individëve, por edhe me “marrëdhëniet shoqërore, ekonomike e politike”. Ҫelësi për zhvillimin e vërtetë është “dashuria për të mirën e gjithanshme, e pandashme nga dashuria për të vërtetën”. Për të promovuar një zhvillim të tillë, është thelbësore shoshitja etike. E Kisha e konsideron detyrë parësore t’u kujtojë të gjithëve, me përvujtëri, disa parime etike të qarta.

Bota qeveriset akoma nga kritere të vjetëruara

         Në dokument shqyrtohet historia e ekonomisë botërore, gjatë kohëve të fundit. “Kriza financiare – nënvizohet në të – mund të ishte rasti për zhvillimin e një ekonomie të re, më të vëmendshme ndaj parimeve etike”, por pavarësisht nga përpjekjet në këtë drejtim, nuk pati asnjë reagim, që ta nxiste njerëzimin të rimendonte “ato kritere të vjetëruara, që vazhdojnë të qeverisin botën”. Në tekst, kritikohet si i papranueshëm “përfitimi, përmes shfrytëzimit të pozitës dominuese personale në dëm të të tjerëve, ose pasurimi”, që dëmton mirëqënien kolektive. Të dyja dikasteret përmendin qartas të këqiat e kohës sonë, si: spekullimi, kultura e mënjanimit, përqendrimi i pasurisë në duart e pak vetëve, pa pyetur për pasojat e rënda, që nganjëherë, u shkaktohen edhe vendeve të tëra e jo vetëm individëve.

Egoizmi bën që të gjithë të paguajmë një çmim tepër të lartë

         Në një kuadër të karakterizuar nga pabarazi të mëdha, është e nevojshme të rimendohen modelet ekonomike, theksohet në dokumentin e dy dikasterve të Vatikanit. Është gjithnjë e më e qartë se “egoizmi, në fund të fundit, nuk sjell rezultate dhe i bën të gjithë të paguajnë një çmim tepër të lartë”. Ekonomia, shkruhet në tekst, nuk duhet parë si mjet pushteti, por si mjet shërbimi. “Paratë – theksohet në dokument – duhet të shërbejnë e jo të sundojnë”.

Forma të reja ekonomie

         Vatikani u bën thirrje të gjithë profesionistëve të aftë të gjejnë “forma të reja të ekonomisë e të financës, të cilat të kenë praktika e rregulla, që synojnë përparimin e të mirën e përbashkët, si edhe të respektojnë dinjitetin e njeriut”, duke ndjekur mësimet shoqërore të Kishës. Është e nevojshme, sipas hartuesve të dokumentit vatikanas, të rifillohet reflektimi etik mbi “disa aspekte të ndërmjetësimit financiar [pra, të punës së bankave e protagonistëve të tjerë të ngjashëm me to], funksionimi i të cilit, kur nuk është i lidhur me bazat e duhura antropologjike e morale, jo vetëm që ka prodhuar abuzime e padrejtësi të dukshme, por edhe ka krijuar kriza sistemi me përhapje botërore”.

Në kërkim të së mirës së përbashkët

Për të rimodeluar sistemet ekonomiko-financiare, secili prej nesh, lexohet në fund të dokumentit, “mund të bëjë shumë, sidomos, nëse nuk mbetet vetëm”. Bëhet thirrje për një përfshirje më të madhe të shoqatave të shoqërisë civile, të cilat quhen “rezerva të ndërgjegjes e të përgjegjësisë shoqërore”. U kërkohet të gjithëve “të vigjëlojnë si roje të jetës së mirë dhe të bëhen interpretues të një protagonizmi të ri shoqëror”, bazuar mbi parimet e solidaritetit dhe të susidiaritetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.