2018-05-16 18:00:00

Kard. Parolin: të marrë fund dhuna kundër fëmijëve në internet


 “Progresi teknologjik sjell shumë rezultate pozitive, por nuk mund ta nënvleftësojmë anën e errët të botës së re dixhitale, në të cilën jetojmë. Një nga aspektet e saj më të rënda - kujton Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin në mesazhin drejtuar Asamblesë së 27-të të Komisionit për Parandalimin e  krimeve dhe Drejtësinë kriminale - është përhapja e formave të reja të veprimtarisë kriminale ose e formave të lashta, të aktualizuara me mjete të reja, të fuqishme. T’u kundërvihesh me sukses, është detyra juaj, e nevojshme dhe ngutshme. Të gjithë duhet të shqetësohemi që zhvillimi të promovojë dinjitetin e  çdo njeriu të ardhur në botë, duke i krijuar mundësi të rritet i shëndoshë e plot harmoni, në trup e në shpirt, në gjirin e një shoqërie, që e mirëpret dhe e mbron”. Agjenda e OKB-së mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm  - nënvizon Hirësia e Tij - vë, me të drejtë në dukje, urgjencën për t’i dhënë fund çdo forme të dhunës kundër fëmijëve.

Papa: fëmijët duhen mbrojtur në vitet vendimtare të rritjes së tyre

Papa Françesku - lexohet në mesazhin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit - është i bindur se zhvillimi i denjë dhe i qëndrueshëm mund të realizohet vetëm nëse fëmijët, që janë e nesërmja e familjes njerëzore, vihen në qendër të vëmendjes, favorizohen e mbrohen në vitet vendimtare të rritjes. Prandaj, në përfundim të “Kongresit global mbi dinjitetin e të miturit në botën dixhitale”, më 6 tetorin e kaluar, Ati i Shenjtë e mbështeti me bindje “Deklaratën e Romës”, që u bën thirrje qeverive, liderëve fetarë, studiuesve, industrive teknologjike, forcave të rendit, organizatave mjekësore, edukatorëve, organizatave të shoqërisë civile, të japin ndihmesën e tyre për ta përballuar së bashku problemin, që i kapërcen mundësitë e aktorëve të veçantë.

Cyberbulling, sexting e sextortion i shthurin marrëdhëniet ndërpersonale e shoqërore.

“Përhapja e pamjeve të dhunshme, gjithnjë më të tepruara dhe e pornografisë, gjithnjë më të shëmtuar - vëren kardinali Parolin - e shtrembëron thellësisht psikologjinë e edhe funksionimin neurologjik të fëmijëve. Cyberbulling, sexting e sextortion i shthurin marrëdhëniet ndërpersonale e shoqërore. Format e joshjes seksuale përmes rrjetit, pamja e drejtpërdrejtë e përdhunimeve, e dhunës,  e organizimit on line të prostitucionit dhe trafikut të njerëzve si dhe nxitja për dhunë e terrorizëm,  janë  të gjithë shembuj të dukshëm  të krimeve të shëmtuara, që nuk mund të tolerohen në asnjë mënyrë.

Fëmijët duhet të rriten të qetë, në mjedise të sigurta

“Selia e Shenjtë dhe Kisha katolike  - përfundon sekretari i Shtetit të Vatikanit  - janë të vetëdijshme për kontributin e tyre në formimin e ndërgjegjeve morale dhe të vetëdijes publike. Prej këndej, secila, përmes veprimtarisë së vet, dëshiron të bashkëpunojnë me autoritetet politike e fetare si dhe me të gjithë aktorët e shoqërisë civile, posaçërisht me drejtuesit e teknologjive, që fëmijët  të mund të rriten qetësisht, në një mjedis të sigurt. Prandaj, në një botë në evolucion të vazhdueshëm, roli i Kombeve të Bashkuara e, në mënyrë të veçantë i UNODC është veçanërisht vendimtar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.