2018-05-14 18:46:00

Sandri mbi Lindjen e Mesme: jo, vendimeve, duhet gjykim i shëndoshë


Në ditën e fundit të shtegtimit të tij në Liban, nga 10 deri më 13 maj, kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, u takua, në Nunciaturën e Beirutit, me katër të rinj, që morën pjesë në Asamblenë parapërgatitore të Sinodit të ipeshkvijve kushtuar atyre, si përfaqësues të bashkëmoshatarëve maronitë,  greko-melkitë, siro-katolikë dhe armeno-katolikë. Të rinjtë i dorëzuan Kardinalit argjentinas një letër për Papën Françesku. Së pari - tregon Kardinali – e pyesin: “Kur do të na vish në Liban?”. Kujtojnë, më pas, edhe se për të rinjtë e Lindjes së Mesme do të duhej një hapësirë e posaçme  brenda reflektimit sinodal kushtuar Azisë, sepse vuajnë shumë, ngaqë jetojnë në një mjedis, ku ka gjithnjë luftë, vështirësi, mungesa të të gjitha natyrave.

Si Zoja e Lujan, të ndalohemi për të biseduar me Zotin

Pas takimit dhe selfies me të rinjtë, kardinali Sandri kryesoi, së bashku me patrikun maronit, kardinalin Bechara Boutros Rai, Liturgjinë Hyjnore në ritin siro-antioken maronit, në të dielën pas të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, në shenjtëroren e Zojës së Libanit, në Harisa. Dy kardinajtë, së bashku, kryesuan kremtimin e fronëzimit të shtatores së Zojës së Lujanit, pajtore e Argjentinës. Gjatë përshëndetjes së tij, kardinali Sandri kujtoi: “Historia e Zojës së Lujanit tregon se kjo figure u soll nga Brazili, e ngarkuar në një qerre me buaj, që duhet ta çonte deri në vendin e caktuar, ndërsa bujatë u ndaluan në vendin, ku sot lartohet shenjtërorja, sepse buajtë nuk deshën ta vijonin rrugën. E kujtoj këtë skenë –tha kardinali - për të thënë: shumë herë edhe ne duhet të ndalohemi, e akoma më shumë, në situata si kjo e Lindjes së Mesme.

Luftërat dëmtojnë gjithnjë të vegjlit,  të varfrit

“Para se të merren vendime, që mund të jenë edhe më të dëmshme se ndarjet, dhuna e vdekja - vijon kardinali - nganjëherë duhet të ndalohesh e të thuash: “Çfarë duhet të bëj, për të qenë me të vërtetë mjet i paqes e, sidomos, mjet i vullnetit të Zotit? Të urojmë, që të gjitha këto situata të kapërcehen me maturi, urti e gjykim të shëndoshë të të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi”. Urti dhe gjykim i shëndoshë, që u panë në Beirut e në gjithë Libanin, ku më 6 maj u organizuan zgjedhjet legjislative, në paqe, me rezultate që sollën përtëritjen e  parlamentit, i cili do të nisë punimet më 20 maj. Është për t’u admiruar mënyra si u bënë – komenton kardinali Sandri - e që sollën një thërrime paqeje e qetësie në këtë zonë të tronditur. Edhe patriku maronit, Bechara Boutros Rai, gjatë Meshës - kujtoi prefekti Sandri - e lavdëroi mënyrën si u zhvilluan këto zgjedhje e edhe shpresën  që lindi me këtë përtëritje, duke uruar që vendi të gjejë përsëri rrugën drejt harmonisë, bashkëjetesës paqësore ndërmjet të gjithëve… atë rrugë, që e bën Libanin Vend-Mesazh.

Takimi i Barit për të krishterët e Lindjes së Mesme

Prefekti i Kongregatës për Kishat lindore, në përshëndetjen e tij, përcolli edhe thirrjen e Françeskut, që të përgatiten zemrat për takimin e Barit, më 7 korrikun e  ardhshëm me patrikët katolikë dhe ortodoksë të Lindjes së Mesme. “Është takim reflektimi e lutjeje - kujtoi - thirrje nga ana e Papës dhe e krerëve të Kishave katolike kristiane e ortodokse për të krishterët, si dhe për të tërhequr  vëmendjen e Zotit, që të ketë mëshirë e të na dhurojë paqen, por edhe vëmendjen e mbarë botës lidhur me gjendjen e të krishterëve, që  duan të jenë të gjithë qytetarë jo të klasit të dytë, por të barabartë me të tjerët, për të bashkëpunuar në ndërtimin e së mirës së përbashkët në vendet e tyre.

Një Kishë plot gjallëri, në një vend, i cili kërkon paqen

Nga kremtimet në Harisa, kardinali Sandri kujton se prania e shumënumërt e shtegtarëve të të gjitha konfesioneve të krishtera, por edhe e feve të tjera, ishte mrekulli e Zojës. Sepse, “është Ajo, që na bashkon të gjithëve rreth saj”. Ishte gjë e bukur të shikoje vajzat etiope, që punojnë në Liban, pastaj, besimtarët ortodoksë, pa kujtuar këtu numrin shumë të madh të katolikëve  lindorë, maronitë e melkitë, por edhe pjesëmarrjen e myslimanëve. E përshëndeta gjithë familjen myslimane, tejet e kënaqur që po merrte pjesë në këtë kremtim të fronëzimit të Zojës së Lujanit. Sepse zemra e njeriut është e hapur për të gjithë e kërkon me etje vëllazërim e paqe. Libani po jeton një çast të jashtëzakonshëm - përfundoi kardinali argjentinas - sepse është në mes të gjithë këtyre vendeve në luftë e çdo ditë, nga vendet fqinje, i vijnë lajme, që u hapin plagë njerëzve të Libanit, posaçërisht nga Siria. Por nga kontakti me besimtarët katolikë, ndjen fuqimisht se Kisha është e gjallë, Kishë që, duke qenë gjithnjë në shërbim të më të varfërve, të më nevojtarëve, kumton vetë Zotin!








All the contents on this site are copyrighted ©.