2018-05-14 17:10:00

Ambasada SHBA në Jeruzalem. Imz. Marcuzzo: Paqja e largët


Më se 40 të vdekur e gati njëmijë të plagosur. Ky, bilanci i përkohshëm i ndeshjeve ndërmjet ushtrisë izraelite dhe manifestuesve palestinezë, që nisën pak orë para përururimit të ambasadës amerikane në Jeruzalem. Pavarësisht nga kundërshimi i fortë i botës arabe, palestinezëve, OKB-së dhe pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, u bë realitet.

Sot pasdite, në orën 16.00 me orën vendase, 15.00 me atë evropiane, ambasada  e SHBA-ve u zhvendos nga Tel-Avivi, në Jeruzalem, pikërisht me rastin e 14 majit - kur kremtohet 70-vjetori i lindjes së Izraelit. Tejet i lartë, tensioni. Ndeshjet vijojnë të ashpërsohen në kufi, me një bilanc të vdekurish e të plagosurish, që rritet dramatikisht nga çasti në çast. Qyteti Shenjt edhe një herë bëhet shenjë kundërshtie e një paqeje, që duket edhe më e largët.

Ndeshjet ndërmjet  manifestuesve palestinezë dhe ushtrisë izraelite filluan edhe në Çisjordani. Posaçërisht në Betlehem e në Hebron. Por nuk mungojnë as në lokalitete të tjera, si Kalandia, në veri të Jeruzalemit. Altoparlantet nga majat e xhamive të Gazës i nxisin palestinezët të bashkohen rreth të ashtuquajturit “Marshi i Madh i Rikthimit”,  i cili,  në gjashtë të premtet e fundit, shkaktoi të paktën 40 të vdekur. Afishet në Jeruzalem kujtojnë se Trump është mik dhe kudo shpalosen flamuj amerikanë me yje e vija. Po “flamujtë e paqes” nuk duken gjëkundi!

Paqja e paarritshme

Trishtim i thellë! Kjo, fjala që përsërit shumë herë imzot Giacinto-Boulos Marcuzzo, mëkëmbës patriarkal për Jeruzalemin dhe Palestinën. Sot, të krishterët e Jeruzalemit, të gjitha kishat e dhe të gjithë palestinezët, i lidh një ndjenjë e përbashkët: trishtimi i thellë! Jemi të trishtuar - shpjegon akoma imzot Giacinto-Boulos Marcuzzo - dita e sotme nuk na çon drejt paqes, por pikërisht në drejtim të kundërt. Nuk ka më shpresë për arritjen e armëpushimit.

Vendim kundër historisë

“Ky i Trump - deklaron imzot Giacinto-Boulos Marcuzzo - është vendim, që shkon kundër historisë kundër drejtësisë dhe së mirës së popullsisë së Jeruzalemit. Sot procesi i paqes, që kishte nisur, është ngrirë”.

Pasojat shoqërore

Të menjëhershme, pasojat negative të vendimit të Presidentit amerikan. Ndeshjet  e para u regjistruan që në dhjetorin e kaluar, siç nënvizon mëkëmbësi patriarkal. “Çdo javë ka pasur manifestime kundër vendimit, që kanë shkaktuar vazhdimisht të vrarë e të plagosur. Fakti që popullsia e ka humbur tashmë çdo shpresë - shpjegon - ka edhe pasojat e veta shoqërore, që dëmtojnë shkollën, familjen punën, gjithëkënd e gjithçka.

Përvjetor kontradiktor

Sivjet, më 14 maj - vijon imzot Marcuzzo - është një festë kontradiktore, sepse nga njëra anë kemi Izraelin, që galdon, sepse i arriti qëllimet e veta e fitoi mbështetjen e amerikane. Por, nga ana tjetër, janë palestinezët, që vuajnë akoma për shkak të luftës e të pasojave të këtij vendimi…

Angazhimi dhe thirrja e Kishës

Në këtë situatë, Kishat e krishtera të Jeruzalemit kujtojnë rëndësinë e vizitës së Papës Françesku në Bari, më 7 korrikun e ardhshëm, ku do të mbahet një ditë reflektimi e lutjeje për situatën në Lindjen e Mesme. “Angazhimi ynë si Kishë e si të krishterë - shpjegon akoma imzot Marcuzzo - është që njerëzit të mos e humbasin shpresën se paqja është e mundur. Vendimi i Papës na dha forcë, duke na ndihmuar në përpjekjen për të dikuar në zemrat e njerëzve pikërisht shpresën: dëshirojmë të besojmë  se armëpushimi mund të arrihet me vullnetin e mirë të të gjithëve. Prandaj - përfundon - kërkojmë nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare  ta mbështesë dëshirën e hebrenjve dhe të palestinezëve për të ecur drejt paqes. Larg ideologjive, të shikojmë realitetin!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.