2018-05-13 08:00:00

Videomesazh i Papës në mbrëmësoren ndërkombëtare të lutjes mariane të të rinjve


Ishte i pranishëm, përmes një videomesazhi, edhe Papa, në mbrëmësoren mariane ndërkombëtare të të rinjve, që u kremtua dje, më 12 maj, në Shenjtëroren e Shën Gabrielit (Teramo). Françesku  u foli pjesëmarrësve, në atmosferën e përgatitjes së sinodit të ipeshkvijve kushtuar të rinjve.

Videomesazhi i Papës 

Mbrëmësorja, e organizuar nga imzot Leuzzi, ipeshkëv i Teramo-Atri-t,   nisi në orën 17.00, me Rruzaren e thënë në disa gjuhë, në lidhje video me dioqezat e Panamasë, Irlandës, Rusisë e Taivanit. Pas Rruzares, të rinjtë   ndoqën videomesazhin e Atit të Shenjtë. Mbrëmësorja përfundoi në orën 18.30 me Meshën e kremtuar nga kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i Sinodit të ipeshkvijve.

Pararendës të revolucionit dixhital

“Është e vërtetë se fizikisht jam larg jush - me këto fjalë nisi mesazhi i Atit të Shenjtë - por, falë teknologjive moderne të komunikimit, kemi mundësi t’i kapërcejmë distancat. Në të vërtetë, ne të krishterët e dimë se feja e vetme dhe lutja e njëzëshme, i bashkojnë besimtarët e mbarë botës. E kështu - theksoi Papa në mesazhin drejtuar të rinjve - mund të themi se, edhe pa e ditur, jemi pararendës të revolucionit dixhital.

Tre, mendimet e Papës për të rinjtë

Mendimi i parë i Papës ishte për Marinë. Gjë e bukur - theksoi - që të rinjtë e thonë së bashku Rruzaren, duke e dëshmuar kështu, dashurinë për Virgjërën Nënë. Mesazhi i saj sot është më aktual se kurrë. E kjo, sepse  ajo është e re, ndërmjet të rinjsh, “vashë e ditëve tona”. E mbetet përherë e re, edhe sot, kur e kundrojmë të Ngjitur në qiell, ngaqë shenjtëria të mban gjithnjë të ri, është “eliksiri i rinisë”, për të cilin kemi aq shumë nevojë: rini në përtëritje, që na e solli ngjallja e Zotit.

Këtë theksoi Papa në mesazh, duke i porositur të rinjtë të ndjekin shembullin e Shën  Gabrielit, rreth të cilit u mblodhën dje.

Shembulli i Shën Gabrielit

E kish kuptuar mirë këtë Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, Pajtor i studentëve, shenjt i ri, i dashuruar me Marinë - vijoi mesazhi i Papës drejtuar të rinjve. - Që në moshën 18 vjeçare ia kushtoi jetën Zotit në familjen rregulltare të pasionistëve. U bë, kështu, Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, që zu, në zemrën e tij, vendin e nënës, humbur në moshë të mitur. E Zoja i priu drejt shenjtërisë. Mos kini frikë nga shenjtëria - i porositi Papa të rinjtë, pranë tyre, përmes mesazhit. - Mund të bëheni edhe ju shenjtorë, duke ndjekur shembullin e Marisë, të Shën Gabrielit dhe të të gjithë shenjtorëve, që ju paraprinë e ju tregojnë rrugën.

Mendimi i dytë i Papës

Mendimi i parë i Papës ishte për Marinë. I dyti, për të rinjtë e lidhur me mbrëmësoren nga të katër anët e botës, që Françesku i përshëndeti, duke nisur nga të rinjtë e Panamasë, me të cilët do të takohet në Ditën Botërore të Rinisë.

Mendimi i tretë

Mendimi i tretë e i fundit, ishte për Sinodin, tashmë fare pranë. Papa kujtoi  edhe një here se Sinodi u kushtohet të rinjve, fesë dhe shqyrtimit të thirrjes e se mbarë Kisha është e angazhuar prej kohe në udhën sinodale.

Duke biseduar me një mori të rinjsh si ju, me rastin e takimit parasinodal – e përfundoi mesazhin Papa - tërhoqa vëmendjen të ruhemi nga një rrezik i mundshëm. Rreziku që të flasim për të rinjtë, pa i lënë të rinjtë të flasin. Po të rinjtë nuk kafshojnë, mund e duhen afruar. Sepse kanë në shpirt entuziazmin e moshës e, veç tij, kanë në dorë edhe kyçin, që hap të gjitha portat e së ardhmes!

Kur të riktheheni në viset tuaja - ishte porosia e fundit e Papës drejtuar të rinjve - mos rrini në heshtje. Natyrisht kush flet, edhe gabon. Po ju mos kini frikë se gaboni. Duke gabuar, do të mësoheni të mos i përsërisni më gabimet.

Kisha dhe bota kanë nevojë për të rinjtë

E, mos harroni kurrë se Kisha dhe bota  kanë nevojë për të rinjtë, që të mund ta rinojnë, kështu, vetveten e, sidomos, mos harroni se Krishti është i ri në amshim, Maria është vashë e re, Shën Gabrieli e gjithë shenjtorët, janë sekreti i rinisë së përhershme të Kishës.   








All the contents on this site are copyrighted ©.