2018-05-11 11:45:00

Sinodi i ipeshkvijve kushtuar të rinjve: miratohet Instrumentum laboris


Më 7 e 8 majin e kaluar u mbajt, në Vatikan, Takimi XIV i Këshillit të zakonshëm të Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të ipeshkvijve, kryesuar nga Papa Françesku.

Punimet i hapi Sekretari i përgjithshëm, kardinali Lorenzo Baldisseri. Në fjalën e përshëndetjes, Hirësia e Tij e falënderoi Papën për praninë dhe kujtoi gjithë rrugën e përshkuar nga Asambleja e përgjithshme e zakonshme. Më pas u ndalua posaçërisht tek përgatitja e projektit të Instrumentum laboris, hartuar në bashkëpunim me një grup specialistësh, që mblodhën materialin e ofruar nga pesë burime: përgjigjet e Pyetësorit përfundimtar të Dokumentit Përgatitor nga ana e organizmave, që e kanë këtë të drejtë; përgjigjet dhënë Pyetësorit online, drejtuar të rinjve; aktet e Seminarit Ndërkombëtar kushtuar të rinjve, zhvilluar në shtatorin e vitit 2017; vërejtjet e ardhura lirisht nga grupe të ndryshme; Dokumenti përfundimtar i Takimit para-sinodal, mbajtur nga 19 deri më 24 mars 2018. Këtë ngjarje e kujtoi edhe kardinali Baldisseri, duke theksuar pjesëmarrjen plot gjallëri të të rinjve, ardhur nga të katër anët e botës, si përfaqësues të mjediseve kishtare e jashtëkishtare.

Miratohet Instrumentum laboris

Pas fjalës së Sekretarit të përgjithshëm, u paraqit projekti i Instrumentum laboris, tema kryesore e takimit. Teksti u pasua nga një shkëmbim shumë interesant opinionesh, sugjerimesh e vërejtjesh, që u shtuan në dokument, për t’i dorëzuar Etërve sinodalë një mjet gjithnjë më të përshtatshëm për diskutim në sallë. Teksti u miratua nga të gjithë pjesëmarrësit.

Takimi u mbajt në një atmosferë vëllazërore

Anëtarët e Këshillit të zakonshëm u ballafaquan mbi disa aspekte e kritere organizative të Sinodit të Ipeshkvijve dhe të Asamblesë së ardhshme të  zakonshme. Komunikimi i imzot Fabio Fabene-s, nënsekretar i Sinodit të ipeshkvijve, u ndoq nga një shkëmbim i dobishëm opinonesh.

Në përfundim, Ati i Shenjtë i falënderoi Anëtarët e Këshillit dhe pjesëmarrësit, për kontributin dhe për frymën e bashkimit vëllazëror, me të cilën u zhvillua Takimi.








All the contents on this site are copyrighted ©.