2018-05-10 08:30:00

Tweet-i i Papës: besimi në mëshirën e Zotit është dhuratë e çmuar e Shpirtit Shenjt


Sot, në ditën kur në Vatikan festohet Solemniteti i të Ngjiturit të Zotit në Qiell, të Shëlbuemit, Papa Françesku shkruan kështu në Twitter: “Dhurata e çmuar, që Shpirti Shenjt sjell në zemrat tona, është besimi i thellë në dashurinë dhe në mëshirën e Zotit”.

Solemniteti i Shëlbuemit të Zotit, nënvizon se Jezusi është gjithnjë pranë secilit nga ne e na prin në rrugën tonë të fesë së krishterë.

Solemniteti i të Shëlbuemit, na tregon episodin e ndarjes së Jezu Krishtit Zot nga dishepujt e vet që nuk është braktisje, sepse Jezusi mbetet gjithnjë me ta, në një formë të re. Zoti e tërheq vështrimin e Apostujve drejt Qiellit, për t’u treguar si të ecin në rrugën e së mirës gjatë jetës së tyre tokësore. Po ai, gjithsesi, mbetet në zemër të historisë njerëzore, është pranë secilit nga ne dhe na prin në udhën tonë të krishterë: është shok udhe i të persekutuarve për shkak të fesë, është në zemër të të shtypurve, i pranishëm në njerëzit, të cilëve u mohohet e drejta për të jetuar.

Solemniteti i të Shëlbuemit na kujton besimin e sigurinë e Jezusit në dëshminë tonë

Solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, dyzet ditë pas Pashkëve, siç n kujton edhe Ungjilli Mateut, na flet për ndarjen përfundimtare të të Ngjallurit nga dishepujt e vet. Atyre, akoma dyshimtarë, pasi kaluan përmes zjarrit të mundimeve e të ngjalljes, Jezusi u lë detyrën e pafundme të ungjillëzimit të botës, duke mësuar e duke pagëzuar.

Pra Kisha e vijon që këtu misionin e saj. Që nga ky çast, prania e Krishtit në botë ndërmjetësohet nga dishepujt, ata që besojnë në të dhe që e kumtojnë. Ky mision do të vijojë deri në mbarim të historisë, në praninë e përditshme të vetë Zotit të ngjallur, i cili na siguron: ‘Unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!’. E pikërisht prania e Krishtit jep forcë në persekutime, ngushëllim në mundime, mbështetje në vështirësitë e këtij misioni e është pikërisht Ngjitja e Krishtit në Qiell, që na e kujton këtë. Të Shëlbuemit na e kujton këtë ndihmë të Jezusit e të Shpirtit Shenjt, që i jep besim, i jep siguri dëshmisë sonë të krishterë në botë.

E edhe Kisha ekziston për të kumtuar Ungjillin, vetëm për këtë! E edhe gëzimi i Kishës është të kumtojë Ungjillin. Kisha jemi të gjithë ne, të pagëzuarit. Sot grishemi ta kuptojmë më mirë se Zoti na dha dinjitet të madh e përgjegjësi të madhe për ta kumtuar në botë, për ta bërë të kuptueshëm për njerëzimin. Ky është dinjiteti ynë; ky, nderi më i madh, që na bëhet ne, të pagëzuarve.








All the contents on this site are copyrighted ©.