2018-05-09 13:53:00

Papët kundër mafies, nën shenjën e Ungjillit


Më 9 maj 1993, në Luginën e Tempujve të Agrixhentos, Gjon Pali II u drejtonte fjalë flake njerëzve të mafies. Nga Papa Wojtyla, tek Françesku, duke kaluar përmes papnisë së Benediktit XVI, ndjehet fort vazhdimësia e shërbesës së Papëve, që mbajtën gjithnjë, e vijojnë të mbajnë, qëndrim tepër të ashpër kundër mafies e mafiozëve.

Ka shumë mundësi që forma më e lashtë e qëndrimit kundër mafies të jetë, ndoshta, vetë Ungjilli. Në të Krishti i dënon, pa asnjë lëkundje mafiozët e kohës, aq sa arrin të kapë kamxhikun kundër të gjithë atyre, që  synojnë të shkelin mbi dinjitetin e njeriut! Dënim, të cilin Kisha e ripohon me forcë, posaçërisht në vitet e fundit e, në mënyrë të veçantë, me Papët e kohëve të fundit.

Kujtojmë se fjalët e Gjon Palit II, shqiptuar rreth një vit pas atentateve kundër gjykatësve Falcone e Borsellini - do të pasoheshin nga fjalë po kaq të ashpra, shqiptuar nga Françesku në Kalabri, më 2014. E edhe Benedikti XVI, gjatë shtegtimit të tij në Palermo, më 3 tetor 2010, e ngriti fort zërin kundër joshjeve të mafies. E quajti “rrugë vdekjeje”, “që nuk përkon aspak me Ungjillin”.

25 vjet më parë, britma e Gjon Palit II kundër mafiozëve

Por, të rikthehemi për disa çaste, simbolikisht, në 9 majin e 1993, në Luginën e Tempujve të Agrixhentos, ku Gjon Pali II u drejtonte fjalë flake njerëzve të mafies. Duke shtrënguar Kryqin në kraharor e duke ngritur gishtin drejt qiellit, përballë mijëra të rinjsh, ardhur nga të katër anët, Wojtyla, në përfundim të homelisë së Meshës, u fliste jo vetëm mafiozëve të Sicilisë, por edhe  të mbarë botës, duke u drejtuar thirrjen: “Pendojuni! Një ditë do të vijë gjyqi i Zotit!”.

Përvjetori

Prej ditësh në Agrixhento po mbahen kremtime për ta kujtuar këtë zë, që vijon të jehojë fort edhe pasi kanë kaluar 25 vjet nga vizita baritore e Papës Wojtyla e sot, në orën 18.00, përballë Tempullit të Harmonisë, u organizua një kremtim solemn, kryesuar nga të gjithë ipeshkvijtë e Sicilisë. Në përfundim, mesazhi, që të kujton ftesën për pendesë drejtuar nga Gjon Pali II. Ftesë, që nuk e ka humbur aspak aktualitetin. Përkundrazi.

Britmë, për të zgjuar ndërgjegjet!

“Me këtë britmë donte të zgjonte ndërgjegjet e njerëzve të mafias, por edhe tonat” – nënvizoi kardinali Francesco Montenegro, duke komentuar përvjetorin që hyri në histori me emrin “mallkimi i Papës kundër mafies”. E kjo anatemë - shtoi ipeshkvi, - diçka ndryshoi. Njerëzit morën guximin të flasin kundër mafies e ta shikojnë praninë e saj si vdekjeprurëse, atje ku vepron. Morën guximin të ngrenë edhe ata gishtin…E kjo ka shumë rëndësi, sepse gjërat që shikohen si të paprekshme, nuk na interesojnë – komenton imzot Montenegro. - Po britma e Papës duhet t’i prekë thellë zemrat tona. E sidomos, të mafiozëve! E pamundur? Për Zotin nuk ka asgjë të pamundur! E tregon vetë britma – ftesë  e shën Gjon Palit II, që u përkujtua sot!

Benedikti XVI  në Palermo

Shumë herë në rrjedhë vitesh, Papët janë shprehur kundër mafies dhe i kanë dënuar sjelljet e saj kriminale. Posaçërisht në Palermo, në Sheshin Politeama, më 3 tetor 2010, Benedikti XVI, gjatë takimit të tij me të rinjtë sicilianë, u shpreh kështu: “Mos kini frikë t’i kundërviheni së keqes! Së bashku do të jeni si pyll, që rritet, ndoshta i heshtur, por i aftë për të dhënë fryt, për të sjellë jetë e për ta rinuar thellësisht tokën tuaj! Mos iu nënshtroni joshjeve të mafies! Është udhë vdekjeje, e papërkueshme me Ungjillin”.

Shkishërimi i Françeskut

Kriminaliteti i organizuar, gjatë vitesh, ka arritur deri atje, sa të përvetësojë simbole e figure fetare, me rituale e forma devocioni, që e shtrembërojnë dhe e manipulojnë vetë fenë. Duke qenë krejt në kundërshtim me të. Sepse “për shkak të sjelljeve, të krimeve, të jetës kushtuar së keqes, mafiozët nuk kanë punë me Zotin”- siç pohoi Papa Françesku gjatë homelisë, mbajtur në Luginën e Sibarit, në Kozencë, me rastin e vizitës së tij baritore në Kalabri, më 21 qershor 2014. Me këtë rast Papa arriti deri në atë pikë, sa t’i shkishërojë - e ishte i pari Papë që e bënte këtë – mafiozët,  të cilët vijojnë të zgjedhin këtë rrugë të së keqes!








All the contents on this site are copyrighted ©.