2018-05-09 08:30:00

Papa në Nomadelfia: “shkolla e gjallë”, themeluar nga don Zeno


Nesër, Papa Françesku shkon në Nomadelfia, pranë Grosetto-s, si edhe në Loppiano, pranë Firences, në Itali. Në Nomadelfia, Ati i Shenjtë do të vizitojë bashkësinë e themeluar nga don Zeno Saltini, ku familjet jetojnë e punojnë së bashku, duke i ndarë mes tyre detyrat dhe të drejtat, si në bashkësitë e para të krishtera. Ndërkaq, Loppiano, të cilën Papa do ta vizitojë më pas, është qyteza e fokolarinëve, themeluar nga Chiara Lubich. Sot, do t’ju flasim për shkollën e Nomadelfias. Objektivi i saj është formimi i “qytetarëve të ekuilibruar, të ndershëm dhe të përgjegjshëm, që dinë të integrohen në indin shoqëror”. Modeli pedagogjik quhet “shkolla e gjallë”, sepse synon “një formim që të përgatit për jetën, duke refuzuar çdo formë nocionizmi”.

Përgjegjësja e shkollës së mesme, Maria Izzo, na thotë se “kjo përvojë shkollore lindi në vitin 1968. Praktikisht, don Zeno dëshironte ta rivlerësonte rolin qendror të familjes në edukimin e fëmijëve. Qe një intuitë profetike: prania e prindërve edhe në formimin shkollor. Janë këta, që e administrojnë dhe e organizojnë shkollën: shumë prej tyre japin mësim, por sidomos organizojnë e zgjedhin mësuesit e jashtëm. Objektivi i kësaj shkolle, që nga lindja, është centraliteti i njeriut, sipas natyrës së tij të vërtetë, siç thoshte gjithnjë don Zeno: vendoseni në qendër njeriun sipas natyrës së tij të vërtetë, siç është dashur e krijuar nga Zoti”.

 Cilat janë aspektet e mësimdhënies në këtë shkollë? Sepse shpesh shkolla akuzohet për nocionizëm të thjeshtë…

nformacionet e rëndësishme duhen ditur, nuk mund të bëjmë pa disa elemente të këtij lloji. Por, sigurisht, shkohet më thellë në përmbajtjen e argumentit. E sidomos, përfitojmë nga mijëra njerëzit, që kalojnë në Nomadelfia. Ҫdo vit, kemi dikë që mund të na transmetojë përvojën dhe kompetencat e tij.

Pra, më tepër se gjithçka është shkollë jete, jo vetëm shkollë klasike, siç e kuptojmë zakonisht…

Po. Në fakt, don Zeno fliste për “shkollë të gjallë”, pra, fëmijët duhet ta jetojnë atë, që studiojnë. Le të mendojmë për vetë faktin se shkolla jeton në gjirin e bashkësisë, prandaj gjithçka përjetohet nga e gjithë bashkësia. Për shembull, kjo ngjarja e jashtëzakonshme e vizitës së Papës ka qenë objekt i orëve e orëve shkollore për ne. Shkolla thellohet edhe në historinë e Kishës, të papëve, të këtij pape…

E pastaj?

Pastaj kemi alternancën shkollë-punë, që tani përdoret shumë e që shkolla e Nomadelfias e ka zbatuar që vite më parë, sepse të rinjtë tanë bëjnë edhe eksperienca të ndryshme nën udhëheqjen e prindërve. Kjo është shumë interesante në ndërmarrje; të rinjtë mësojnë edhe problemet e punës, të ndërmarrjes bujqësore, për shembull: si lindin gjërat, që kemi mbi tryezë. Gjithashtu, marrin pjesë në punën bujqësore, në mbledhjen e ullinjve dhe të rrushit. Prandaj, gjithçka bën pjesë në Gjithësinë e kirjuar prej Zotit bëhet objekt studimi, si bashkëpunim i njeriut me Hyun.








All the contents on this site are copyrighted ©.