2018-05-08 14:42:00

Vatikan: statuti i Dikasterit për laikët, familjen e jetën. Kujdes për të rinjtë, rolin e gruas e familjen


Vatikan: statuti i Dikasterit për laikët, familjen e jetën. Kujdes për të rinjtë, rolin e gruas e familjen. “Të thellohet reflektimi mbi marrëdhëniet burrë-grua, duke pasur parasysh veçoritë, reciprocitetin, përplotësimin edhe dinjitetin e barabartë si dhe të vlerësohet “gjenia” femërore, duke dhënë kontributin e saj në “reflektimin kishtar mbi identitetin dhe misionin e gruas në Kishë e në shoqëri e duke promovuar pjesëmarrjen e saj”. Është një nga detyrat e Statutit të Dikasterit për laikët, familjen dhe jetën, që u botua sot, i miratuar “ad experimentum”.

Përveç formimit të të rinjve, lexohet në Statut, “Dikasteri merret edhe me kujdesin për familjen, me mbrojtjen e dinjitetit të saj, bazuar mbi sakramentin, me favorizimin e të drejtave dhe të detyrave të saj në Kishë e në shoqërinë civile, me qëllim që institucioni familjar t’i kryejë gjithnjë më mirë funksionet, si në kuadrin kishtar, ashtu edhe në atë shoqëror. Shqyrton edhe shenjat e kohëve, duke vlerësuar mundësitë e familjes për t’u bërë ballë, me besim e urti ungjillore, sfidave që e presin e për të zbatuar, në të sotmen e shoqërisë e të historisë, planin e Zotit mbi martesën dhe familjen”. Me këtë objektiv Dikasteri i Selisë së Shenjtë organizon takime e ngjarje ndërkombëtare, posaçërisht takimin botëror të familjeve dhe ndjek veprimtaritë e instituteve, shoqatave, lëvizjeve e organizatave katolike, kombëtare e ndërkombëtare, synimi i të cilave është t’i shërbejnë të mirës së familjes.

Kujdeset edhe për thellimin e doktrinës mbi familjen dhe përhapjen e saj përmes katekizmit të përshtatshëm; favorizon posaçërisht studimet mbi përshpirtërinë e martesës e të familjes dhe aspektet e saj formuese. Përveç vijave drejtuese të programeve formuese për të fejuarit, që përgatiten për martesë si dhe për çiftet e reja të bashkëshortëve “shpreh nxitjen baritore të Kishës, edhe përballë situatave të parregullta” - siç theksohet në “Amoris Laetitia”. Ofron vijat orientuese edhe për programet baritore, që mbështesin familjet në formimin e të rinjve në fe e në jetën kishtare e civile, me vëmendje të përqendruar mbi të varfërit e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, ashtu edhe mbi dialogun ndërmjet breznive.

Favorizon hapjen e dyerve të familjes për bijësime e për t’ua besuar fëmijët dhe kujdesin e të moshuarve, duke e ndihmuar për realizmin e praktikave përkatëse pranë institucioneve civile.

Dikasteri lidhet drejtpërdrejt me Institutin Papnor teologjik Gjon Pali II për shkencat e martesës e të familjes, mbështet e koordinon nismat në favor të lindjes së përgjegjshme të fëmijëve si dhe të mbrojtjes së jetës njerëzore  nga zënia, deri në përfundimin e saj të natyrshëm, duke pasur mirë parasysh nevojat e njeriut në fazat e ndryshme të zhvillimit.

Promovon dhe inkurajon organizatat dhe shoqatat, që ndihmojnë gruan e familjen, ta pranojnë e ta mbrojnë dhuratën e jetës, posaçërisht në rastet e shtatzanive të vështira si dhe të parandalimeve të abortit.

Mbështet edhe programe e nisma, të cilat kanë për qëllim t’i ndihmojnë gratë, që kanë abortuar.

Mbi bazën e doktrinës morale katolike dhe të magjisterit të Kishës, “studion e promovon formimin për problemet kryesore të biomjekësisë, që zhvillohen në lidhje me jetë dhe realitetet e gjinisë njerëzore”. Prej këndej, lidhja me Akademinë Papnore për jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.