2018-05-08 12:57:00

Dita Botërore e Kryqit të Kuq: 17 milion vullnetarë


Që prej 150 vjetësh, më 8 maj festohet Dita Botërore e Kryqit të Kyq dhe e Gjysëmhënës së Kuqe, pikërisht në datën e lindjes së themeluesit, Henry Dunant. Kjo ditë u kushtohet 17 milion vullnetarëve në botë, të ndarë në 190 degë kombëtare, që, përmes nismave të sotme, mundohen ta afrojnë popullsinë me veprimtaritë e shoqatës më të madhe humanitare në botë.

Vullnetari, Samaritan i Mirë

Në këtë ditë, vullnetarët e gjithë botës kujtojnë fjalët që Papa Françesku u tha më 27 janar, kur i takoi në Sallën Pali VI në Vatikan. “Misioni i vullnetarit, i thirrur të përkulet mbi çdo nevojtar, duke e ndihmuar me dashuri e pa interes – pohoi në atë rast Papa – na kujton figurën ungjillore të Samaritanit të Mirë”, i cili nuk ia nënshtron shqyrtimit paraparak njeriun e plagosur, të sëmurë, nevojtar, “nuk e gjykon e nuk e kushtëzon ndihmën e tij me prerogativa morale apo fetare. Thjesht, ia lehtëson dhimbjen e plagëve”.

Humanitet dhe paanshmëri

 Ati i Shenjtë u ndal në parimet frymëzuese të organizatës, sanksionuar edhe në Statut: humaniteti, paanshmëria dhe asnjanësia. “Këto tri fjalë – u tha Papa vullnetarëve më 27 janar – duhet t’i japin gjithnjë kuptim misionit tuaj”, t’ju ndihmojnë në “arritjen e mirëkuptimit reciprok e të paqes së qëndrueshme ndërmjet njerëzve dhe popujve... Vërtet, kush e sheh tjetrin me syzet e miqësisë dhe jo me lentet e konkurrencës e të konfliktit, bëhet ndërtues i një bote më njerëzore, ku ia vlen të jetosh”.

Kujtimi i martirëve

Mendimi i Papës shkoi edhe tek ata, që dhanë jetën, duke ndihmuar të tjerët. “Nuk e dhanë – u tha vullnetarëve – e dhuruan! Janë martirët tuaj. E Jezusi na thotë se nuk ka dashuri më të madhe se ta dhurosh jetën për të tjerët”.

Kryqi i Kuq Shqiptar

Kryqi i Kuq Shqiptar e kremton këtë ditë me dy ngjarje të rëndësishme për shoqatën dhe për publikun e gjerë: përurimi i Molit “Henry Dunant” pranë digës së Liqenit artificial të Tiranës dhe vendosja e bustit të tij, në shenjë nderimi për kontributin që dha në themelimin e Kryqit të Kuq dhe në nënshkrimin e Konventave të Gjenevës; si edhe çelja e Ekspozitës XXII Kombëtare të Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”. Ekspozita mbyll Fushatën e promovimit të vlerave humanitare të Kryqit të Kuq për fëmijët e moshës 10-15 vjeç, filluar në shkurt në gjithë vendin. Tashmë është traditë që punimet më të mira të ekspozitës të mbushin faqet e kalendarit vjetor, botuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar. Kujtojmë se organizata në Shqipëri është themeluar në vitin 1921 dhe bën pjesë në Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, që nga viti 1923.








All the contents on this site are copyrighted ©.