2018-05-06 08:30:00

Shenjtorët e javës 6 – 13 maj


E diel më 6 maj, Kisha katolike kremton të dielën e 6-të e Pashkëve, gjithnjë më 6 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Marjanin e Shën Jakun, martirë. Liturgjia e kësaj së diele na kujton se ta njohësh, ta pranosh Krishtin e Gjallë, do të thotë ta duash e ta pranosh Hyjin në vëllezër e motra, të cilët Ai na porosit t’i duam porsi vetveten.

Të hënën më 7 maj, kalendari përkujton Shën Florianin, Shën Flavia Domitilen, martire romake; Shën Flavianin e Augustinin dhe të Lumën Roza Venerini, virgjër e themeluese të Motrave ‘Mësuese të Përshpirtshme Venerini’. Liturgjia na nxit të meditojmë mbi jetën e njeriut, që kalon shumë çaste të gëzuara, por jo më pak edhe të trishtuara e na fton që, të sigurt në premtimin e të Ngjallurit, t’i shikojmë vuajtjet tokësore si prelud i galdimit të ringjalljes. Jezusi i ngjallur kthehet tek Ati, pasi na ka hapur edhe ne portën për të hyrë te Hyji.

Të martën më 8 maj,  Kisha katolike kremton festën e Zojës së Bekuar të Pompejit; kalendari liturgjik përkujton Shën Viktorin, martir të Milanos, Shën Benediktin e II, papë, dhe Shën Magdalenën e Kanosës. Kujtojmë se këtë festë, në mes ditë, besimtarët i drejtojnë lutjen Zojës së Bekuar Rruzare të Pompejit. Liturgjia e ditës na kujton se feja e besimtarëve rritet në bashkim të ngushtë me transmetimin e pandërprerë të Fjalës së Krishtit të ngjallur nga ana e Kishës, e cila këtë ditë ia kushton nderimit të Zojës së Bekuar.

Të mërkurën më 9 maj, kalendari përkujton Shën Pakomin, abat dhe Shën Izainë, profet. Liturgjia e ditës pohon se ndjekur Zotin, dishepulli i vërtetë e dëshmon Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur duke i lidhur ngushtë fjalët me vepra. Meriton kështu epitetin ‘njeri i drejtë’ dhe premtimin për të kundruar fytyrën e Zotit në amshim.

Të enjten më 10 maj,  kalendari kishtar përkujton Shën Jordanin, martir; Shën Jobin, Shën Kataldi dhe të Lumin Nikola Albergatin. Liturgjia e ditës na kujton se dashuria ndaj Hyjit e ndaj të afërmit është lajtmotivi i liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele të kohës së pashkëve. Në Ungjill, Gjoni apostull kumton se të pagëzuarit në Krishtin nuk janë më shërbëtorë, por miq të Hyjit.

Të premten më 11 maj, kalendari përkujton Shën Injacin e Lìkonit, Shën Gualtierin apo Walterin. Liturgjia e ditës pohon se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të shtunën më 12 maj, kalendari kishtar përkujton Shenjtorët Nereu, Akileu e Pankraci, martirë, Shën Pankracin, martir e Shën Leopoldin Mandiç.Nereu e Akileu, sipas traditës, qenë dy ushtarakë të ushtrisë romake. Bëjnë pjesë në grupin e ushtarakëve, me të cilët filloi “epoka e martirëve” nën Dioklecianin.

Të dielën e ardhshme më 13 maj, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Shëlbuemit. Kjo festë na kujton se trishtimi për kthimin e Krishtit tek Ati Qiellor, shndërrohet në gëzim, sepse Zoti na premton Ngushëlluesin. E është pikërisht Shpirti Shenjt që do t’i bindë ata që nuk besojnë, për lumninë përfundimtare të Krishtit e për dënimin e tij të padrejtë me vdekje. Prandaj, me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin Qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin, siç dëshmon kjo festë e  të Shëlbuemit që Kisha kremton të dielën e ardhshme.
Gjithnjë më 13 maj, Kisha katolike kremton festën e Zojës së Bekuar të Fatimes së Portugalisë, e kalendari përkujton edhe përkushtimin e Kishës së Marisë “tek Martirët” në Patheon të Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.