2018-05-05 16:36:00

Papa Françesku: sillni atmosferën e dashurisё familjare nё vende ku mungon


Një festё feje në Tor Vergata, në periferi të Romës, në takimin ndërkombëtar me rastin e 50 vjetorit të fillimit të Rrugës Neokatechumenale. Papa Françesku duke takuar qindra mijёra anёtarё tё kёsaj lёvizjeje kishtar, ardhur nga mbarё bota, u tha mes tjerash: Neokatekumenalëve, jo "prozelitizmit". Po "sillni atmosferën familjare në vende të shkreta e atyku mungon dashuria"

"Jezusi ngjallur thotë: 'Bëni dishepuj'. Nuk thotë: pushtoni, zini, por 'bëni dishepuj', domethënë ndani bashkё me të tjerët dhuratën që keni marrë, takimin e dashurisë që ua ka ndryshuar jetën tuaj". Me këto fjalë, Papa Françesku, në fjalimin, drejtuar anёtarёve tё lëvizjes e udhёs kishtare Neokatekumenale nё Tor Vergata, nё periferi tё Romёs, e përshkroi «zemrën e misionit» tё krishterё, që konsiston në «dëshminё se Zoti na do dhe se dashuria e vërtetë është e mundur me të, ajo dashuri qё na shpie ta dhurojmё jetën kudo, në familje, në punë, si njerёz tё përkushtuar po edhe si tё besimtarё tё martuar".

Misioni, vazhdoi Papa Françesku, "është të kthehemi dishepuj me dishepujt e rinj të Jezusit. Do tё thotё tё rizbulohesh si pjesë e një Kishe dishepulle", sepse "Kisha është mësuese, mirёpo ajo nuk mund të jetë mësuese nëse më parë nuk është dishepulle, ashtu si nuk mund të jetë nënë nëse më parë nuk është bijё. Ja pra Nëna jonë: një Kishë e përvuajtur, bijё e Atit dhe dishepulle e Mёsuesit Hyjnor, e lumtur që është motra e njerëzimit".

"Kjo dinamikë e dishepullimit - dishepulli që bën dishepuj - është krejtësisht ndryshe nga dinamika e prozelitizmit", theksoi Papa Bergoglio: "Këtu është forca e kumtimit tё Ungjillit, fuqia e shpalljes, qё bota tё besojё. Nuk vlejnë argumentet që bindin, por jeta që tërheq; jo aftësia për të imponuar veten, por guximi për të shërbyer".

"Dhe ju keni në ADN-në tuaj këtë thirrje për të kumtuar Ungjillin duke jetuar në familje, duke ndjekur shembullin e Familjes së Shenjtë: në përvujtёri, thjeshtësi e lëvdim", vlerёsoi Papa Françesku karizmin e Rrugës Neokatekumenale themeluar nga Kiko Arguello, para 50-tё vjetësh: "Sillni këtë atmosferë familjare në shumë vende të shkreta dhe aty ku mundon përzemërsia. Bёni qё të ndjeheni si miq të Jezusit. Të gjithë quani miqtë dhe tё gjithё jini miq ".

Mbi njëqind mijë persona nga 134 vende tё botёs morёn pjesё sot në Tor Vergata, në periferi të Romës, nё takimin me Papa Françeskun, me rastin e 50 vjetorit të Rrugës Neokatekumenale. Shumë të rinj kanë zgjedhur të shkojnë në një mision për ta sjellë Ungjillin në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.