2018-05-04 14:15:00

Papa, Rojeve Zvicerane: sekreti është të mbështetemi tek Krishti


“Është bukur të shohësh të rinj si ju, që tregojnë kujdes për të tjerët”, sidomos për nevojtarët. Papa Françesku sheh 33 rekrutët e rinj të Rojeve Zvicerane, që të dielën pasdite, do të betohen se do t’i shërbejnë me besnikëri Atit të Shenjtë, e pastaj, i drejtohet komandantit, Christoph Graf, oficerëve dhe alabardierëve të Armës. “E admiroj – u tha – disiplinën, ndjenjat kishtare, maturinë dhe profesionalitetin” me të cilin shërbeni çdo ditë.

Kështu qe takimi i sotëm, në Sallën Klementine në Vatikan, ndërmjet Papës dhe “ushtrisë” së tij të vogël, të shoqëruar nga familjarët e miqtë e rekrutëve të rinj, të cilët do të shërbejnë në Selinë e Shenjtë së paku për dy vjet rresht. 24 zviceranëve të gjuhës gjermane dhe 9-ve të gjuhës franceze, Papa u kujtoi se shërbimi i tyre është krejt i veçantë e kërkon përforcimin e fesë së secilit, si edhe të ndjenjës se i përkasin Kishës universale. Françesku e çoi mendimin në flijimin heroik të alabardierëve, më 6 maj 1527, gjatë “plaçkitjes së Romës”, “ftesë e vazhdueshme për të pasur parasysh e për t’i vënë në jetë karakteristikat tipike të Armës”, tha Papa:

Ta jetoni me koherencë fenë katolike; ta vijoni miqësinë me Jezu Krishtin, duke e dashur Kishën; të jeni të gëzueshëm e të gatshëm për të kryer detyrat e përditshme, të mëdha e të vogla; guxim e durim, bujari e solidaritet me të gjithë. Këto janë virtytet, që duhet të shfaqni, kur shërbeni në Vatikan, por edhe kur e keni hequr uniformën.

Roja Zvicerane mbetet e tillë si në shërbim, ashtu edhe jashtë tij

Kjo, nënvizoi Papa Françesku, bëhet e mundur vetëm me ndihmën e Zotit, i cili duhet takuar:

 …në lutjen e përbashkët e personale, në dëgjimin e kujdesshëm të Fjalës së Hyut e në pjesëmarrjen në Eukaristi. Sekreti i frytshmërisë së punës suaj, këtu në Vatikan, ashtu si për çdo plan tuajin, është mbështetja e vazhdueshme në Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.