2018-05-02 12:19:00

Dialogu me Kinën nuk bëhet me shkop magjik


Prej kohësh, ka pasur dhe ka kontakte ndërmjet përfaqësuesve të Selisë së Shenjtë dhe Kinës Popullore, në përpjekjen për të zgjidhur, në mënyrë konstruktive e pa konflikte, disa probleme të Kishës, duke filluar nga tema delikate dhe e rëndësishme e emërimit të ipeshkvijve. Është fjala për një qasje baritore, që synon nisjen e një forme bashkëpunimi, e cila mund të jetë me përfitim për të gjithë, pa menduar se të gjitha problemet mund të zgjidhen me një të tundur të ndonjë shkopi magjik.

Fjalët e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin

Për këtë, vlen të përmendet intervista e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i cili, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit të së përditshmes italiane “La Stampa”, ndër të tjera, tha: “Siç dihet mirë, me të ashtuquajturën ‘Kina e re’, ka pasur çaste kontrastesh të mëdha dhe vuajtjesh të thella për jetën e Kishës në atë vend. Por, që nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, kanë filluar kontakte ndërmjet përfaqësuesve të Selisë së Shenjtë dhe Kinës Popullore, të cilat kanë kaluar nëpër periudha e ngjarje të ndryshme. Selia e Shenjtë ka mbajtur gjithnjë qëndrim baritor, duke u përpjekur të kapërcejë kundërshtitë e të tregohet e gatshme për dialog konstruktiv me autoritetet civile. Papa Benedikti XVI e ka përfaqësuar mirë frymën e këtij dialogu në Letrën për katolikët kinezë të vitit 2007: ‘Zgjidhja e problemeve ekzistuese nuk mund të arrihet përmes një konflikti të vazhdueshëm me autoritetet e ligjshme civile’ (n.4). Gjatë papnisë së Françeskut, bisedimet vijojnë pikërisht në këtë vijë: gatishmëri për dialog konstruktiv dhe besnikëri ndaj Traditës më të pastër të Kishës”.

Kina e vjetër dhe Kina e re: gjithnjë komuniste, por…

 Me vendosjen e regjimit të ri politik komunist në Kinë, si pasojë e revolucionit të Mao Ce Dunit – që pati si objektiv çlirimin e masave nga dominimi perëndimor, nga varfëria, nga injoranca, nga shtypja e klasave të vjetra drejtuese e madje, edhe nga Zoti e nga feja – filloi një fazë historike, gjatë së cilës barinjtë e besimtarët e Kishës u persekutuan dhe u munduan, si në të gjitha vendet komuniste të botës.

Pastaj, që nga vitet ’80, diçka ndryshoi edhe në Kinë. Natyrisht, ideologjia komuniste mbretëron akoma e madje, kohët e fundit ka sërish sinjale për forcimin e saj, sidomos në aparatet e ngarkuara me sigurinë dhe me rregullimin e jetës shoqëroro-kulturore. Por, ndoshta, kjo është edhe shenjë e nevojës për të vënë pak rend në rritjen e vrullshme ekonomike, e cila, nga njëra anë, prodhoi mirëqënie e krijoi mundësi e hapësira të reja jetese, duke bërë të dalin në pah aspiratat e përbashkëta të kinezëve me të gjithë njerëzit e botës, ndërsa, nga ana tjetër, solli një farë çrregullimi, me fenomenet e çrrënjosjes shoqërore të punëtorëve, me treguesit e lartë të korrupsionit në klasat më të pasura, e me dobësimin e vlerave tradicionale, sidomos ndër brezat e rinj. E megjithatë, ndoshta, ngurtësimi i qëndrimeve ideologjike mund të mos jetë përgjigjja e përshtatshme për ndryshime kaq të thella sa të prekin edhe sferën fetare të jetës.

Mesazhi i Krishtit nuk mund të jetë i huaj për një vend kaq të madh

  Sot, Selia e Shenjtë është e gatshme, në atmosferën e dialogut plot respekt, të japë kontributin e saj në promovimin e së mirës së Kishës dhe të shoqërisë në Kinë. Besimtarët katolikë të gjithë botës, nga ana e tyre, nuk mund të mos e ndjejnë se këto fakte kanë të bëjnë edhe me ta, sepse nuk është fjala për ngjarje të një vendi të largët, por për jetën dhe misionin e së njëjtës Kishë, anëtarë të së cilës jemi të gjithë, pavarësisht nga vendi ku jetojmë. Që këndej, impenjimi për të mos nxitur polemika pa fryt, por për ta shoqëruar këtë çast delikat për Kishën në Kinë, sidomos me lutje, që Zoti t’i japë hov të ri veprës së ungjillëzimit. Mesazhi i Jezu Krishtit nuk mund të jetë i huaj për horizontin njerëzor e shpirtëror të një vendi kaq të madh.








All the contents on this site are copyrighted ©.