2018-05-01 17:00:00

Ndërtimi i shenjtërores së re tek Zoja e Dashurisë Hyjnore


Tregohet se qe shën Luigji Orione ai, që parashikoi lindjen e veprimtarive e kthimin e shenjtërores e rrethinave gati në një qytezë të përshpirtshme, pasi ishte lënë mënjanë për një periudhë të gjatë, kur dukej sikur devocioni i romakëve ndaj fugures ishte pakësuar disi. Ai që do të bëhej themelues i shenjtërores së re, don Umberto Terenzi, shkruan se u takua me don Luigji Orionen në moshën 29-vjeçare. “Që në fillim të Veprës së Zojës – dëshmon ai – don Orione më tregoi gjithçka do të bëhej aty, por nuk më tregoi kohën”. Foli për vepra të mëdha e të shumta; i tha se bënte mirë që nuk pranonte punën në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, të cilën ia kishin ofruar më se një herë; e nxiti don Terenzio-n të jepej me mish e me shpirt pas shenjtërores e parashikoi se zhvillimi i vërtetë i veprave të Zojës së Dashurisë Hyjnore do të vinte pasi ai të kishte vdekur: “mbi varrin tënd” – qenë fjalët e shenjtit të ardhshëm.

 Në vitin 1933, don Orione i tha sërish don Terenzio-s se shenjtërorja do të kthehej në një qendër. “Do të merrni trashëgimi – i tregoi – do të bëni gjithçka. Blini sa më shumë tokë që të mundeni, sepse do ta shihni edhe vetë ç’do të ndodhë së shpejti. Ju do të ndërtoni qytezën e Zojës së Dashurisë Hyjnore. Pas rreth 15 vjetësh, jua them me siguri, në vendin e Dashurisë Hyjnore do të ketë një qytezë si Pompei e do të vijnë shumë e shumë njerëz tek Zoja”.

Shpëtimtarja e Romës

 Vërtet, gjatë Luftës II Botërore, me vendim të Papës Piu XII, fugurja e Zojës u çua në kishën e Shën Injacit të Lojolës, në qendër të Romës. Besimtarët u lutën që kryeqyteti italian të shpëtohej nga shkatërrimi, duke u zotuar që të ndërtonin një shenjtërore të re e më të madhe. E ndërsa besimtarët shpejtonin ta përfundonin lutjen para orës 19, kur fillonte shtetrrethimi, po atë mbrëmje gjermanët u larguan nga Roma e hynë trupat aleate. Zoja, u quajt nga Papa në meshën e falenderimit, “Shpëtimtarja e Urbe-s (Romës)”.

Vetë shenjtërorja e re, pavarësisht nga impenjimi i don Umberto Terenzi-t e nga dëshira e besimtarëve, për arsye burokratike, arriti të shugurohej vetëm në vitin 1999 e të ishte gati për Jubileun e vitit 2000.








All the contents on this site are copyrighted ©.