2018-04-30 15:20:00

Imzot Kulli: Predikimi në Katedralen e Lezhës, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti!


Shtegtimi i dioqezave të Kishës katolike ndër shqiptarë, nga Shqipëria, kryedioqeza e Tivarit të Malit të Zi e Kosova në Kishën Katedrale të Shën Nikollës e te memoriali i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Lezhë, në kuadrin e Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ishte data e 21 prilli 2018. Qe shtegtim shpirtëror e homazhe kombëtare, heroit të madh Gjergj Kastriotit, që luftoi pushtuesin e popullit e të viseve shqiptare, me një mesazh për mbarë popullit shqiptar. Me atë rast u kremtua Mesha Shenjte solemne, gjatë së cilës kryeipeshkvijtë e ipeshkvijtë bashkëmeshuan, ndërsa homelinë e rastin e mbajti ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, të cilën po ua propozojmë në vijim..

Predikimi në Katedralen e Lezhës, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti!

Fort të dashur vëllezër në Episkopat, të dashur Meshtarë.

Të nderuar autoritete qendrore dhe lokale

Të dashur vëllezër dhe motra të ardhur nga dioqezat tona dhe nga Kosova e Mali i Zi!

Jubileu i Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – “Skënderbeu”, na bashkoi sot në këtë katedrale të Lezhës për të kremtuar këtë Liturgji hyjnore në dobi të Kombit tonë, që urtia e drejtuesve dhe ndershmëria e shtetasve të nxisin në këtë Atdhe harmoni dhe drejtësi në mënyrë që të mund te jetojmë të lumtur dhe në paqe. Ky është edhe qëllimi për të cilin e kremtojmë këtë Meshe Shenjte!

Vëllezër dhe motra fort të dashur,

Gjergj Kastrioti mbetet simboli më i përkryer i bashkimit, sakrificës dhe dashurise për atdheun për të gjithë Shqiptarët e çdo kohe, madje dhe më gjerë.. ndikimi i tij tejkalonte trojet tona duke gëzuar nderimin e vendeve evropiane dhe të papëve të Romës. Dëshiroj të bashkëndaj me ju shkrimin e papës Pali VI me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë:

Ja çfarë shkruante Papa Pali VI për Heroin tonë  në 500 vjetorin e vdekjes,  50 vite me parë, Gjergj Kastrioti ishte biri i lavdishëm i një toke që pati fatbardhësinë të ishte pjesë e programit apostolik të Shën Palit, ku ai mbolli ndoshta rishtazi farën e Ungjillit. “Pararendësit tanë e mbuluan me elozhe më tepër se çdo hero të asaj epoke. Ai arriti të ruante për njëzet e pesë vjet prej pushtimit atdheun e tij, i cili ishte pika më e brishtë e sistemit mbrojtës të krishtërimit. Për këtë arsye, pararendësi ynë, Kaliksti III, duke patur parasysh devocionin dhe atashimin ndaj Selisë apostolike të këtij kapedani, tha për të me të drejtë se ‘ai kishte merituar më shumë nga të gjithë princat katolikë lëvdata për nder të besimit dhe fesë katolike”.

Nga këtu mund të vëmë re se binomi Fe - Atdhedashuri ishte skalitur thellë në jetën e heroit tonë kombëtar. Ai e kishte kuptuar shumë mirë se vetëm në Krishtin gjendeshin fjalët e jetës së pasosur. Këtë të vërtetë ai e dëshmoi dhe u përpoq, ( u mundua) që Krishti dhe Fjala e tij e pasosur të shtrihej në çdo popull. Për këtë luftoi dhe u tregua vërtetë si Atleta Christi. 

Vëllezër dhe motra fort të dashur!

Historia e Shqipërisë sa e lavdishme aq edhe e mundimshme  është shënuar përjetësisht nga heroi ynë kombëtar, i cili jetoi për aspiratat më të larta dhe më të denja që mund të jetojë njeriu i çdo kohe dhe i çdo vendi. Dashuria e tij e pakushtëzuar për Liri, Fe dhe Atdhe i dhuroi Evropës dhe gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen një trashëgimi të paçmueshme. Falë tij dhe  dëshmorëve tanë në trojet tona valëvitet krenar flamuri ynë.

Prandaj mbi ne bie detyra e rëndë dhe fisnike për të përvetësuar po ato ndjenja, të frymëzohemi nga jeta e tij dhe të imitojmë në jetën e përditshme stilin e jetës së Heroit tonë, po edhe të shumë martirëve, në mënyrë që ky vend të dojë më tëpër lirinë, Zotin dhe atdheun.

Ne, bijtë e Gjergj Kastriotit, jemi të lirë në botën e sotme demokratike, e pikërisht sot jemi të ftuar të reflektojmë, nën dritën e këtij Burri fisnik, të pyesim veten si po e përdorim këtë liri e sa na ndihmon demokracia për të kapërcyer vështirësitë e jetës? Cilat janë pikat e referimit, që duhet të mbeten të patundura në shoqërinë tonë Shqiptare? Vëllezër e motra, ia vlen të sjellim shpesh në mendje e të nxejrrim mësim nga e ashtuquajtura “porosia e fundit e Skendërbeut” mbi bashkimin: Tufën e thuprave nuk mund ta thyejë as më i fuqishmi nga ju. Prandaj qëndroni të bashkuar sepse edhe pa mua do të fitoni.”

Të mos harrojmë se të shumtë janë shqiptarët të cilëve jeta nuk u jep shumë mundësi, në vend të dorës së shtrirë të shpresës gjejnë para vetes grushtin e shtypjes e përpjekjen e manipulimit. E këta nuk janë situata të lehta, por mendja e zemra na shkon (e kemi fjalën) për të varfërit, për njerëzit pa shtëpi dhe pa bukën e gojës, për viktimat e dhunës e të degradimit, për të gjithë ata që kërkojnë me patjetër të braktisin vendin duke u larguar nga Shqipëria. Shkaqet e situatave të tilla problematike janë të ndërlikuara, të gjitha kanë të përbashkët mentalitetin e helmuar, që shfaqet në trajtimin e personave si të ishin thjesht sende, duke afirmuar kështu një pandjeshmëri zemre, që më parë injoron e pastaj vë në lojë dinjitetin dhe lirinë që Zoti i jep çdo shqiptari dhe çdo njeriu…”

Liria e vërtetë është shenjë e privilegjuar e figurës Hyjnore në zemrën e njeriut. Për lirinë mijëra njerëz, në trojet tona luftuan, pësuan persekutime të tmerrshme, dhuruan edhe jetën. Pikërisht këta janë njerëzit më të denjë për t’u kujtuar përjetësisht. E kjo kujtesë është detyrë e të gjithë atyre që e duan vërtetë lirinë, Zotin dhe Atdheun aq sa për të, të derdhin edhe gjakun. Ne jemi pasardhës të burrave e grave që kanë jetuar thellësisht marrëdhënien me Zotin, e prej Tij janë ndriçuar për të ndërtuar marrëdhënie të shëndosha e për t’u sarkifikuar denjësisht për lirinë.

Edhe heroi ynë Kombëtar na mëson se vetëm kur i nënshtrohemi si bij, Zotit, Atë i mirë, atëherë liria jonë merr kuptimin e vërtetë, sepse buron nga dashuria e Zotit. Pikërisht prej kësaj marrëdhënie të sinqertë me Zotin, burojnë edhe marrëdhëniet e drejta mes nesh, mes udhëheqësve e popullit e pastaj edhe mes kombeve.

“Liri njerëzore është, nga njëra anë, të lundrosh në gëzimin e në hapësirën e madhe të dashurisë së Zotit, por nga ana tjetër edhe të jemi njëri për tjetrin e njëri me tjetrin. Nuk ka liri kundër tjetrit. Pasi e vërteta, që buron nga dashuria për Zotin, na bën të lirë e të aftë për ta dashur edhe të afërmin.

Prandaj sikurse e kemi nënvizuar edhe në ngjarje të tjera të mëdha për vendin tone në këto vjet, nuk mund të mos i gëzohemi edhe një bilanci pozitiv, sidomos në fushën e lirisë e të drejtave të njeriut, të lirisë së shprehjes së besimit, të fjalës dhe të mendimit. Lëvizja e lirë e qytetarëve, formimi i një kuadri ligjor gjithnjë e më të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të shoqërisë dhe demokratizimi i mëtejshëm i vendit janë sinjale që premtojnë për një integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Vetëm në këtë mënyrë, atdheu ynë do të shmangë përfundimisht rrezikun e izolimit nacionalist. Një atdhe i vërtetë është vetëm një atdhe i lirë, për kombet e tjera dhe me kombet e tjera, duke qenë në një proces të vazhdueshëm dhënieje e marrjeje.

Sot në ungjill kemi dëgjuar besnikërinë e apostujve ndaj Krishtit, që shpreh bashkimin e tyre të sinqertë me Mësuesin dhe na bën thirrje edhe neve sot, që të shohim në besnikërinë e përditshme forcën për të ndjekur Krishtin kudo ku Ai na thërret që të shërbejmë dhe të jetojmë.

Duke dashur të hedhim vështrimin mbi të ardhmen e atdheut tonë, Le të na nxisë ky vit jubilar të gjithëve që të jemi më vigjilentë për të ruajtëur “bashkësinë”, për të thelluar “bashkimin” me të gjithë për të mirën e madhe të kombit tonë, e për të promovuar “njësinë” kombëtarë më të dukshme, më të prekshme, përmes solidaritetit, mbjelljes tek të rinjtë dëshirën për të kontribuar për ndërtimin e një të ardhme më të mirë këtu në këtë vend të mrekullueshëm.

Nga bashkimi me Zotin rreth altarit le të marrim energjinë e domosdoshme e frymëzimin për të rinovuar zemrën e mendjen tonë për më shumë vepra konkrete dashurie ndaj Kombit tonë.

Kjoftë lëvdu Krishti.

 

Imzot Simon Kulli

Ipeshkëv i Sapes

Lezhe, 21.04.2018








All the contents on this site are copyrighted ©.