2018-04-30 13:43:00

Filipine: vritet një meshtar, mbrojtës i vendasve kundër shfrytëzimit në miniera


Në Filipine vritet një meshtar, mbrojtës i vendasve kundër shfrytëzimit në miniera. Meshtari i ri, atë Mark Ventura, u vra dje paradite me armë zjarri në provincën veriore të Cagayan. Një njeri, i paidentifikuar e qëlloi në përfundim të Meshës të së dielës, që sapo e kishte kremtuar. Ipeshkvijtë e vendit e dënojnë këtë akt barbar dhe kërkojnë drejtësi.

Atë Mark Ventura, 37 vjeçar - sipas Agjencisë AsiaNews - u vra dje në mëngjes, rreth orës 8.15, menjëherë pasi kishte kremtuar Meshën në një gjimnaz të Pena Weste, fshat në rrethinat e qytetit Gattaran, në ishullin Luzon, veriu i vendit. Meshtari po bekonte fëmijët e po fliste me anëtarët e korit, kur një njeri, ende i paidentifikuar, që mbante në kokë një kaskë motoçiklisti, hyri në palestër dhe shtiu mbi të dy herë. Më pas iku me motoçikletë, me një bashkëpunëtor, edhe ai i paidentifikuar.

Dënimi i ipeshkvijve, që kërkojnë drejtësi

Imzot Sergio Lasam Utleg shkoi në vendin e vrasjes, ku drejtoi lutjet e besimtarëve të grumbulluar menjëherë rreth të vrarit. Konferenca ipeshkvnore e Filipineve e dënoi vrasjen e meshtarit dhe u kërkoi autoriteteve të veprojnë menjëherë për kapjen e autorëve të këtij krimi, duke ia dorëzuar drejtësisë.

Por, pse e vranë priftin?

Pse ishte i mirënjohur për angazhimin e tij kundër shfrytëzimit të popullsive vendase në miniera, nga ana e Shoqërive minerare në zonën e Gattaran, e famshme për minierat e bakrit dhe të arit.

Është meshtari i dytë, që vritet në Filipine muajt e fundit. Në dhjetor 2017 u vra atë Marcelito Paez, 72 vjeç, pasi pati ndihmuar për lirimin e një të burgosuri politik. Më 2011, me të njëjtat mënyra e për të njëjtat shkaqe, u vra meshtari i PIME-s, atë Fausto Tentorio.








All the contents on this site are copyrighted ©.