2018-04-29 13:40:00

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: dashuria e të krishterëve nuk lind nga ideologjitë, por nga Jezusi


Të jetosh në bashkim me Jezusin, duke e dashur të afërmin e duke i shërbyer. Për  këtë i nxiti besimtarët Papa sot, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit.

Me Jezusin, dëshmia e krishterë në botë

Të jetojmë në bashkim me Jezusin, duke e dashur të afërmin e duke i shërbyer. Kjo, porosia kryesore e Papës Françesku në lutjen e Mbretëreshës qiellore,  kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në të dielën V të Pashkëve.

Duke reflektuar mbi Ungjillin e Gjonit, në të cilin Jezusi paraqitet si hardhia e vërtetë dhe na fton të rrimë të bashkuar me Të, për të sjellë shumë fryt, Papa theksoi se sekreti i jetës së krishterë është pikërisht “të mbetesh” gjithnjë i bashkuar me Krishtin.

Duhet të mbetemi me Krishtin! E ta gjejmë guximin për të dalë nga vetja jonë, nga rehatitë tona, nga strehët tona të mbrojtura, për t’u nisur drejt detit të hapur të nevojave të të tjerëve, duke i dhënë frymëmarrje të thellë dëshmisë sonë të krishterë në botë. Ky guxim për të dalë nga vetja e për të  hyrë në nevojat e të tjerëve, lind nga besimi në Zotin e Ngjallur dhe nga siguria se Shpirti i Tij e shoqëron hap pas hapi historinë tonë.

Asnjë instancë ideologjike

Një nga frytet më të pjekura, që vjen nga bashkimi me Krishtin - shpjegoi Françesku - është angazhimi për t’u bërë mirë vëllezërve, duke i dashur deri në mohimin e vetvetes, deri në pasojat e mbrame, pikërisht ashtu si bëri Jezusi.

Gjallëria e dashurisë së krishterë të besimtarit nuk është fryt strategjish, nuk lind nga nxitje të jashtme, nga instanca shoqërore a ideologjike, por nga takimi me Jezusin e nga dëshira “për të mbetur” gjithmonë në Krishtin. Ai është hardhia, nga e cila thithim limfën, domethënë “jetën”, për të çuar në shoqëri një mënyrë tjetër të jetuari. Për ta shkrirë këtë jetë, që e morëm, duke e dhënë. Duke vënë në plan të parë të saj, më të fundmit.

Të gjithë jemi të thirrur të jemi shenjtorë

Kur lidhesh fort me Zotin, pikërisht si hardhia me shermendët - shpjegoi Papa - fiton aftësinë të sjellësh fryte për një jetë të re, jetë plot me mëshirë, me drejtësi, me paqe, që burojnë nga Ngjallja e Zotit. Këtë bënë shenjtorët që - shtoi Ati i Shenjtë duke kujtuar Nxitjen apostolike Gaudete et exsultate - “e jetuan plotësisht jetën e krishterë dhe dëshminë e dashurisë së krishterë”.

Për të qenë shenjtorë, nuk është e nevojshme të jemi ipeshkvij, priftërinj a rregulltarë. Të gjithë neve, të gjithëve, na drejtohet thirrja për të qenë shenjtorë, duke jetuar me dashuri e duke dhënë secili nesh dëshminë e vet në punët e përditshme, atje ku ndodhemi. Të gjithëve na drejtohet ftesa për të qenë shenjtorë; duhet të jemi shenjtorë, me këtë pasuri që e marrim nga Zoti i ngjallur. Çdo veprimtari - puna e prehja, jeta familjare e ajo shoqërore, përgjegjësitë politike, kulturore e ekonomike - çdo veprimtari, e madhe apo e vogël qoftë, po të kryhet në bashkim me Jezusin e me sjellje dashurie dhe shërbimi, është rast për ta jetuar përsosurisht Pagëzimin dhe shenjtërinë ungjillore.

Pas Mbretëreshës Qiellore

Në përshëndetjet përfundimtare, Françesku kujtoi, ndërmjet tjerash, se dje, në Krakov, u shpall e Lume Hanna Chrzanowska, besimtare laike: “Ia kushtoi gjithë jetën kujdesit për të sëmurët, në fytyrat e të cilëve shikonte fytyrën e Krishtit të munduar” - përfundoi Papa, që i ftoi besimtarët ta ndjekin shembullin e “Apostulles së Lume të të sëmurëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.