2018-04-29 10:30:00

Një javë me Papën e me Kishën


Vatikan: Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme, u kujtoi besimtarëve se nuk është aspak e lehtë të luftosh kundër së keqes, por edhe se Kisha Nënë është  gjithnjë pranë bijve të saj.

Nuk është e lehtë të luftosh kundër së keqes - theksoi në përfundim të audiencës së përgjithme Papa. - Vështirë, të shpëtosh nga mashtrimet e saj e të rifitosh forcën, pas një lufte shkallmuese. Por duhet ta dimë se e gjithë jeta e krishterë është betejë, dyluftim në fushën e mejdanit të së mirës kundër së keqes.  E edhe se nuk jemi vetëm, se Kisha Nënë  lutet që bijtë e saj, të ringjallur në Pagëzim, të mos bien në grackat e djallit, por ta mposhtin, me pushtetin e Shpirtit Shenjt.

Vatikan: Të mërkurën e kaluar përfundoi mbledhja XXIV e Këshillit të Kardinajve me Papën Françesku, që nisi më 23 prill. Pjesa më e madhe e diskutimeve - sipas një note të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - iu kushtua reformës së Kushtetutës Apostolike për Kurien Romake. Varianti përfundimtar do të miratohet së shpejti. E pastaj, kardinajtë do t’ia paraqesin atë Papës për shqyrtim përfundimtar e për botim. Ati i Shenjtë mori pjesë në të gjitha seancat, përveç asaj të së mërkurës, për shkak të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit.  

Papa, më 10 maj, do të jetë në Nomadelfia. Priten 4 mijë vetë. Ati i Shenjtë shkon të njohë don Zeno Saltinin dhe dashurinë e tij të madhe për Kishën. Të njohë Meshtarin, që thoshte “E kam në gjak bindjen dhe bamirësinë, bazuar mbi fenë e shpresën se kush lufton përkrah Krishtit, fiton - edhe atëherë, kur humbet”. Kështu shprehet Francesco Materrazzo, kryetar i bashkësisë së Nomadelfias, themeluar nga don Zeno Saltini  në vitin 1931, që sot ka rreth 300 banorë (50 familje e disa beqarë). Duke theksuar se  është gjë e bukur e domethënëse, që Papa vjen këtu, një javë pas botimit të nxitjes së tij kushtuar shenjtërisë. Prej këndej, vizita e Papës është rast i programuar për të konfirmuar vlerën e përhershme të aktualitetit të Ungjillit të jetuar në vëllazëri, por edhe rast providencial për të luftuar kundër përtacive tona, zakoneve tona, shpesh edhe kishtare”- kujton kryetari i bashkësisë së vogël, që do të takohet me Papën.

Papa pret tri viktima të abuzimeve të klerit në Kili: “Këtë fundjavë, Ati i Shenjtë priti në Shtëpinë e Shën Martës, tri viktima të shpërdorimeve të klerit në Kili: Juan Carlos Cruz, James Hamilton dhe Jose Andrés Murillo”.   “Papa - shpjegon Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke – i falenderon që pranuan ftesën e tij e, gjatë këtyre ditëve takimi personal e vëllazëror, dëshiron t’u kërkojë falje, të ndajë me ta dhimbjen dhe turpin për vuajtjet, që pësuan e, sidomos, të dëgjojë edhe mendimin e tyre, që të mos përsëriten kurrë më ngjarje të tilla”. 

Gjermani: Në Münster, nga 9 deri më 13 maj do të kremtohen Katholikentag – Ditët e katolikëve gjermanë, sivjet me temë “Kërkoje paqen!”. Me këtë rast ipeshkvijtë gjermanë i ftuan besimtarët e dioqezave t’ia kushtojnë të gjitha lëmoshët e 5 e 6 majit mbështetjes të çështjes së paqes.  Kështu do të pasqyrohet edhe një herë gjallëria dhe forca shpirtërore e Kishës sonë, plot me ngjyra e larmi, njëkohësisht e devoçme e politike” - shkruajnë ipeshkvijtë, të cilët e quajnë Münsterin “vend historik, që dëshmon angazhimin shoqëror për paqen”. “Me Katholikentag njerëzit vullnetmirë duan të kontribuojnë për ta plazmuar paqen, duke qëndruar së bashku, me takime personale, shërbime fetare, debate e shumë ngjarje të tjera, interesante për të gjitha moshat”. Kështu e përshkruajnë ipeshkvijtë nismën, që drejtohet plotësisht nga Komiteti qendror i katolikëve gjermanë. Me besimin se edhe kush nuk do të mund të marrë pjesë, do ta mbështesë këtë festë feje.

Asizi-Siri: Të premten e kaluar në Kishën e Shën Damianit, në Asizi, u kremtua një mbrëmësore lutjeje kushtuar paqes në Siri. Të pranishëm edhe përfaqësues të feve të tjera. Pas thirrjes dhe letrës drejtuar Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, nënshkruar nga ipeshkvi i Asizit, nga Familjet françeskane dhe autoritetet e tjera vendase, ipeshkvi, Domenico Sorrentino, i ftoi të luteshin së bashku, të gjithë ata, që dëshirojnë të jetojnë në paqe. Këtë muaj - kujtoi - duam ta përqendrojmë vëmendjen mbi Sirinë, të pushtuar nga alarmi e ankthi për shkak të lajmeve, që marrim çdo ditë nga kjo tokë e martirizuar. Nuk kemi harruar, ditët e kaluara, ta nxisim diplomacinë ndërkombëtare dhe autoritetin mbikombëtar të OKB-së, të bëjë ndonjë hap përpara për paqen. Tani lutemi në Kishën e Shën Damianit; duam të kremtojmë adhurimin e Eukaristisë për paqen, që Zoti të shpëtojë shumë jetë njerëzish në Siri e në çdo skaj të botës. Ndërkaq, për Sirinë, bashkësia ndërkombëtare siguron ndihma humanitare me vlerë prej 7,8 milardë dollarësh, që do të arrijnë plotësisht në vend në vitin 2020.  








All the contents on this site are copyrighted ©.