2018-04-28 15:58:00

Papa në Ostia më 3 qershor, për Corpus Domini


Papa Françesku më 3 qershor do të jetë në Ostia për të kryesuar ritet e Corpus Domini në Lido të Romës, e jo në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, sipas traditës 40-vjeçare.

Të diel, më 3 qershor, në solemnitetin e Korpit dhe Gjakut të Krishtit, në orën 18.00, Papa Françesku do ta kremtojë Meshën në Sheshin përballë famullisë së Shën Monikës, në Ostia. Njoftimin e jep Prefektura e Shtëpisë Papnore.

Papa - që ecën mbi gjurmët e Palit VI, i cili pikërisht në Ostia, në vitin 1968, kryesoi procesionin eukaristik në të njëjtën rrethanë - vendosi, edhe një herë, të vërë në plan të parë një nga ata, që ai i quan periferi ekzistenciale, për të qenë pranë më të fundmëve.

Papa do të jetë në Ostia për të tretën herë

Papa Françesku ka një lidhje të veçantë me Ostian: është hera e tretë, që shkon në këtë zonë bregdetare  e cila, me 300.000 banorët e saj, është qyteti i dytë i Lazios. Françesku vizitoi famullinë Regina Pacis më 3 maj 2015, të nesërmen e emërimit  të ipeshkvit të sektorit, Paolo Lojudice. E u rikthye papritmas, këtë herë në territorin e famullisë Ylli i Detit, për bekimin e apartamenteve të një pallati të ri, në atmosferën e Pashkëve. Ngjarja  lidhej me “Të Premtet e Mëshirës”, të frymëzuara nga veprat e mëshirës trupore dhe shpirtërore, që Papa kreu gjatë Jubileut.








All the contents on this site are copyrighted ©.