2018-04-27 11:47:00

Takim historik ndërmjet dy Koreve. Sinjale paqeje nga dy liderët


Dy, orët e bisedës, në këtë fazë të parë të Takimit historik ndërmjet krerëve të Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, pas 11 vjetësh nga mbledhja e fundit. E fjalët e liderit të Pjong-jangut, Kim Jong-un, japin shpresa për shkrirjen e akullit ndërmjet dy pjesëve të një vendi, ndarë përgjysëm. “Një histori e re fillon tani”, shkroi ai në Librin e Miqve të Shtëpisë së Paqes (Peace House), ndërtesës ku mbahet takimi. Kim uroi “të mos humbet ky rast”. Ndërkaq, presidenti koreanojugor vuri theksin mbi pritjet e bashkësisë ndërkombëtare. “Bota na sheh”, nënvizoi Moon Jae-in.

Summit ndërkorean. Frikë, shpresë dhe një ëndërr: bashkimi

E ndërsa SHBA-të urojnë “paqe e begati për gadishullin korean”, bota pret marrëveshjen, që Kim dhe Moon do ta nënshkruajnë në mbrëmje, para darkës zyrtare. Përmbajtja e saj akoma nuk është bërë e njohur. Pritet një impenjim për paqen, me mundësinë e çarmatosjes bërthamore të Koresë së Veriut.

Katolikët në lutje për mbledhjen ndërkoreane

Ndërkaq, katolikët e Azisë luten për mbarëvajtjen e samitit. “Është dëshira jonë e sinqertë që sot e mbrapa të fillojë një dialog afatgjatë. Dialogu mund të hapë dyert e paqes, të begatisë e të pajtimit në rajon”, thotë meshtari korean, atë Ho Chang, për agjencinë katolike Fides. “E gjithë bota e sheh me vëmendje e shpresë këtë takim. Në Korenë e Jugut e në gjithë Azinë, të krishterët dhe njerëzit e feve të tjera shpresojnë të jetë vendimtar për t’i dhënë një mundësi të mrekullueshme dialogut”, pohon atë Ho.








All the contents on this site are copyrighted ©.