2018-04-27 15:11:00

Ballkan: Tusk (BE) në Sarajevë, “tensionet ndëretnike dhe ndërfetare sjellin vetëm dhimbje. Armiqtë mund të pajtohen”


Kryetari i Këshillit evropian Tusk takohet me anëtarët e presidencës së Bosnjë-Hercegovinës Mladen Ivanovic, Bakir Izetbegovic e Dragan Covic.

“BE-ja ju ndihmon në përpjekjet tuaja, por shqetësohet për bllokimin e reformës elektorale” - tha kryetari i Këshillit evropian, Donald Tusk, duke vijuar vizitën e tij në Ballkan, me etapë në Sarajevë. Ligji i sotëm elektoral i Bosnjë-Hercegovinës parashikon epërsinë e kandidatëve mbi bazë të prejardhjes së tyre etnike, ndërsa Gjykata Kushtetuese i ka bllokuar propozimet për ndryshime. Tusk siguroi se “BE-ja është gati të japë ndihmesën e saj për një kthesë pozitive, që të dilet nga kjo rrugë pa krye”. Pikërisht në Sarajevë, duke e quajtur “qytet i rrënjosur në historinë evropiane”, kryetari i Këshillit të BE-së kujtoi historinë e Kontinentit, e cila na mëson se tensionet ndëretnike dhe ndërfetare krijojnë vetëm dhimbje e tragjedi, “pa harruar, megjithatë, të na mësojë se pajtimi është i mundur edhe ndërmjet armiqve shekullorë. Rezultati i bashkëpunimit - shtoi - është paqja, prosperiteti dhe jeta më e mirë për të gjithë”. Tusk kujtoi se pjesa më madhe e evropianëve kanë identitete të ndryshme e, megjithatë, jetojnë gju më gju, duke e plotësuar njëri-tjetrin e duke e fuqizuar njëri-tjetrin. 

Vizita e kryetarit të Këshillit të BE-së zhvillohet në kuadrin e përgatitjes për samitin BE-Ballkani perëndimor, në program, në Sofie, më 17 maj. “Siguria e Ballkanit perëndimor është siguri për Evropën” - tha Tusk, duke i nxitur krerët ballkanikë për më shumë bashkëpunim në drejtim të luftës kundër trafikut të emigrantëve, të armëve e drogës, luftës kundër kriminalitetit të organizuar e terrorizmit. Nga ana e tij, kryetari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegovic pohoi se nganjëherë “të duket sikur kriza në vend nuk ndalohet, ndërsa në të vërtetë gjendja e përgjithshme është shumë më e mirë, se ajo që paraqitet nga mediat”.








All the contents on this site are copyrighted ©.