2018-04-27 10:49:00

4 vjet më parë shpalleshin shenjtorë Gjon Pali II e Gjoni XXIII


Është 27 prilli i vitit 2014 kur Papa Françesku kremton meshën e kanonizimit të shën Gjon Palit II dhe të shën Gjonit XXIII, papë të dashur për Kishën e për Popullin e Zotit. Të dielën e Mëshirës Hyjnore, themeluar pikërisht nga njëri prej tyre, nga Karol Ëojtyla, në meshën e kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit merr pjesë edhe Papa i nderit, Benedikti XVI.

Mbi fasadën e Bazilikës bien në sy sixhadet me fotografinë e dy papëve shenjtorë të shekullit XX. Mrekullia, që i njihet shën Gjon Palit II është shërimi i një gruaje, Floribhet Mora, nga një lëndim i rëndë në tru, më 1 maj 2011, dita e lumnimit të papës polak. Për shën Gjonin XXIII kanonizimi është i tipit “pro gratia”, pra, me shumë sinjalizime për mrekulli, të cilat Kisha, në personin e Papës, nuk e ka konsideruar të nevojshme t’i verifikojë, aq e madhe është fama e shenjtërisë së papës, që i fliste edhe hënës.

Të guximshëm në prekjen e plagëve të Krishtit

Në homelinë e meshës, Papa Françesku kujton se të dy “patën guximin t’i shohin plagët e Jezusit, t’i prekin duart e Tij të lënduara dhe kraharorin e shporuar”, duke e njohur Krishtin në trupin e vëllezërve nevojtarë. “Qenë – shpjegon Bergoglio – dy njerëz të guximshëm, plot me të vërtetën e Shpirtit Shenjt, që i dëshmuan Kishës dhe botës mirësinë e Zotit, mëshirën e Tij”.

Papa i butësisë ndaj Shpirtit dhe Papa i familjes

 “Kur thirri Koncilin – pohon më tej Papa Françesku, në meshën e kanonizimit – shën Gjoni XXIII tregoi një butësi delikate ndaj Shpirtit Shenjt, e la Atë ta udhëhiqte e kështu, qe për Kishën bari, udhëheqës-i udhëhequr, i drejtuar nga Shpirti. Më pëlqen ta mendoj si Papën e butësisë ndaj Shpirtit Shenjt”. “Në këtë shërbim për Popullin e Zotit, shën Gjon Pali II – shton Françesku për papën polak – ka qenë Papa i familjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.