2018-04-25 12:55:00

Thirrje e Papës për samitin ndër-korean: duhen artizanë të paqes


Thirrje e Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme: “Atyre që kanë përgjegjësi politike të drejtpërdrejtë, u kërkoj  të marrin guximin e shpresës, duke u bërë ‘artizanë të paqes’, ndërsa i nxis të vijojnë me besim udhën e filluar, për të mirën e të gjithëve”.

Është plot me shpresë, thirrja që bëri Papa për gadishullin korean, në audiencën e sotme të përgjithshme. Samiti ndër-korean, në program për datën 27 prill, në Panmunjeom, është rast i përshtatshëm - tha Papa - për të nisur dialogun transparent, udhën konkrete të pajtimit  dhe përtëritjen e vëllazërisë.

Shpresa për procesin e shkrirjes së akujve, në gadishullin korean

Takimi i rangut të lartë, në të cilin marrin pjesë presidentët e dy Koreve, Moon Jae-in e Kim Jong Un, do të jetë i treti, që nga viti 1953, kur përfundoi lufta në Kore. Lojërat olimpike dimërore, zhvilluar kohët e fundit në PyeongChang, në të cilat mori pjesë edhe një delegacion verikorean, si dhe ndërprerja  e provave  me raketa, sipas njoftimit të Koresë së Veriut, janë etapat e fundit qetësuese të porcesit të  shkrirjes së akujve,  që shoqëron këtë takim vendimtar.

Nxitja e Papës për guximin e shpresës

Papa siguron se do të lutet personalisht e do të jetë, së bashku me mbarë Kishën,  pranë popullit korean, që e dëshiron aq shumë paqen. Selia e Shenjtë e shoqëron, e mbështet dhe e inkurajon çdo nismë të dobishme e të sinqertë për ndërtimin e një ardhmërie më të mirë, nën shenjën e takimit e të miqësisë ndërmjet popujve.

Atyre, që kanë përgjegjësi politike të drejtpërdrejtë - kujtoi Papa - u kërkoj të kenë guximin e shpresës, duke u bërë “artizanë të paqes”, ndërsa i nxit të vijojnë me besim udhën e nisur për të mirën e të gjithëve”. Papa, në përfundim, tha Atynën, duke i ftuar besimtarët të luten për popullsinë e Koresë së Veriut e për Korenë e Jugut.  








All the contents on this site are copyrighted ©.