2018-04-23 15:28:00

Dita botërore e librit: mesazhi i Papës


Sot, e hënë 23 prill, kremtohet Dita botërore e librit dhe e së drejtës së autorit. Me rastin e kremtimit, Papa dërgoi urimin e tij personal.

“Marrja e mesazhit të Papës, na mbush me gëzim. Për ne ky gjest ka vlerë të madhe”. Kështu Romano Montroni, kryetar i Qendrës për librin dhe leximin, e komenton letrën e Papës Françesku, dërguar përmes Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, me rastin e Ditës Botërore të Librit 2018.  

Urimet e Papës. Leximi, mjet për formimin e shoqërisë vëllazërore

Në mesazhin e tij, Papa uron që “kjo rrethanë të ndihmojë për ta kuptuar më thellësisht vlerën e librit e, më në përgjithësi, të leximit,  për ndërtimin e një bote e të një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore”.

Origjina e Ditës

E caktuar nga Unesco për të nxitur leximin e për ta bërë librin pronë të të gjithëve, Dita u themelua në vitin 1996. U zgjodh kjo datë, sepse më 23 prill 1916 vdiqën tri shtyllat e letërsisë botërore: Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Inca Garcilaso de la Vega.

Por, ç’janë librat për njeriun?

 Librat të ndihmojnë të thellosh njohuritë, të marrësh gjithnjë informacione të reja, të zgjerosh horizontin kulturor. Makina më e efektshme, që ka krijuar ndonjë herë njeriu, është libri - na kujton Northrop Frye.

Fabrizio Caramagna shkruan: “Të lexosh një libër, nuk do të thotë të dalësh nga bota, por të hysh në botë, nëpër një derë tjetër”.

“Kush nuk lexon, në moshën 70 vjeçare do të ketë jetuar vetëm një jetë!  Të veten! Kush lexon, do të jetojë 5000 vjet: do të jetojë kohën kur Kaini vrau Abelin, kur Renci u martua me Luçinë, kur Leopardi admironte pafundësinë…. Sepse leximi është pavdekësi, që të kthen pas në kohë”, pohon Umberto Eco.

Kush grumbullon libra, grumbullon dëshira. E kush ka shumë dëshira mbetet i ri, edhe kur i ka kaluar të 80-t – beson Ugo Ojetti

Libri është kopsht i lulëzuar, që mund ta mbash në xhep! Thotë një fjalë e  urtë arabe.








All the contents on this site are copyrighted ©.