2018-04-22 07:30:00

Viti i Skënderbeut: mesha dhe homazhi i Kishës në trevat shqiptare


Me 21 prill, e gjithë Kisha në trevat shqiptare, u mblodh rreth Varrit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me rastin Vitit mbarëkombëtar kushtuar atij, në 550-vjetorin e vdekjes. Fillimisht, u kremtua mesha në katedralen e shën Nikollës në Lezhë e më pas, besimtarët dhe ipeshkvijtë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi, bënë homazhe në Momerialin kushtuar Atletit të Krishtit, siç e patën quajtur Papët e Romës.

Në letrën e tyre të 10 janarit, drejtuar gjithë shqiptarëve, me rastin e Vitit të Skënderbeut, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë nënvizon se “550-vjetori i vdekjes së tij është një rast reflektimi rreth ndjenjave të atdhedashurisë dhe sidomos të aspiratave të lirisë së popujve dhe të njeriut si individ… Ne duam të falenderojmë Zotin që, falë burrave dhe atdhedashësve si Skënderbeu, sot kemi lirinë, kemi një atdhe. Në një kohë, e cila ndryshon shumë nga e sotshmja, ai me shumë kurajo e forcë i bëri ballë njërës prej perandorive më të forta e gjakatare të kohës… Skënderbeu nuk harroi rrënjët e tij shoqërore dhe shpirtërore, as u josh nga pushteti që i jepej. Si i tillë Skënderbeu nuk i përket vetëm një grupi njerëzish, një krahine apo një feje, por të gjithë atyre që e ndjekin lirinë si një aspiratë të brëndshme për të cilën ia vlen çdo sakrificë…

Sot a ndjehemi vërtetë të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma? Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë? Pse nuk e duam Atdheun tonë si Etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot kundër të cilëve duam të luftojmë e t'i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabartë i shoqërisë tonë, korrupsioni, analfabetizmi, etj.? Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmërie” dhe “meritokracie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.