2018-04-22 06:30:00

Shenjtorët e javës 22 – 29 prill


E diel 22 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Katërt të Pashkëve. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është bariu i mirë. Si është bari i dhembshur që na thërret për emër. Jemi të pasur me hire e bekime hyjnore sepse kujtojmë e përkujtojmë mrekullitë që Zoti i ka bërë për njeriun, e ndjejmë nevojën për t’i dhënë “faleminderit” për gjithë atë që na është ofruar e që kemi marrë.

Gjithnjë më 22 prill, kalendari përkujton Shën Sotirin papë, Shën Kajon papë, shën Agapiton, papë e Shën Leonidën.

Të hënën më 23 prill, kalendari kishtar përkujton shën Gjergjin martir; Shën Adalbertin, ipeshkëv të Pragës e martir dhe Shën Marinë Gabriela Sagedus, virgjër çistecense.  Liturgjia e ditës na kujton se turma e kërkon Jezusin, kryesisht sepse shpreson të hajë e të ngihet mrekullisht. Në sa Jezusi duhet kërkuar sepse Zoti na e dërgoi si shujtë shpirtërore për jetën e pasosur. 

Të martën më 24 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e Pestë të Pashkëve. Po më 24 prill kalendari përkujton shën Fedelin e Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe shën Marinë Heselblad, themeluese e murgeshave brigjidine.  Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Moisiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar. 

Të mërkurën më 25 prill, kalendari përkujton shën Markun ungjilltar. Ky shenjtë ungjilltar me jetën dhe me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.

Po më 25 prill, sivjet, bie 25 vjetori i vizitës historike të Papës Shën Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993, Ishte vizita e parë e një Pape në trevat shqiptare.

Të enjten më 26 prill, kremtohet festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorës qiellore të shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës së Bekuar në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa të Shkodrës, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.

Të premten më 27 prill, kalendari përkujton Shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir. Liturgjia e kësaj dite e nxit besimtarin t’i bëjë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësisht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi e gjaku i Tij janë bukë e vërtetë dhe pije e vërtetë!

Të shtunën më 28 prill, kalendari përkujton Shën Pjetrin Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe Shën Luigjin Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë.  Liturgjia e ditës na kujton se, për fat të keq, shumë nga nxënësit, nuk i pranuan fjalët e Jezusit e u larguan nga Ai. Juda e tradhtoi. Ndërsa feja e Kishës u shpreh në besojmën e Pjetrit Apostull, që na kujton se e vetmja rrugë e drejtë është ajo që na çon te Krishti, sepse vetëm Ai i “ka fjalët e jetës së pasosur!”. 

Të dielën e ardhshme më 29 prill Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Pestë të Pashkëve. Gjithnjë më 29 prill, kalendari përkujton Shën Katerinën e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore e Italisë dhe bashkëpajtore e Evropës. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Moisiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.