2018-04-22 13:50:00

Papa: lidhje e fortë me Jezusin, përndryshe mbizotërojnë mënyra të ndryshme të menduari


Në të Dielën, kur Kisha kremton Ditën e Lutjes për Thirrjet, Papa, gjatë Mbretëreshës Qiellore, i ftoi besimtarët t’i kërkojnë Zotit t’i shtojë thirrjet për jetën e kushtuar, e edhe për martesën e krishterë.

Është e Diela e Bariut të Mirë. E Bariu i Mirë është Jezusi, sepse dhuroi jetën për ne e na shëron nga të gjitha format e gjymtimit shpirtëror, si ambicia, përtacia, fodullëku. Duhet, veç, ta lëshojmë gjithë jetën në duart e Krishtit të Ngjallur. Këtë e theksoi sot posaçërisht Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore.

Lidhje personale, jo njohje intelektive

Nuk duhet harruar se ka disa kushte, për t’u shëruar. Duke komentuar Ungjillin  e sotëm, Françesku kujtoi se Jezusi, kur thotë se i njeh delet e veta  e se edhe delet e njohin, “nuk e ka fjalën për njohje intelektive, por për marrëdhënie personale, për dashuri të anasjelltë”. Prej këndej, Papa na nxit t’ia hapim zemrën Jezusit, që të mund të hyjë deri në thellësitë tona të pashqyrtueshme. Edhe pse Zoti na i njeh mirë mëkatet e të metat, planet e shpresat, ëndrrat e zhgënjimet. E na pranon kështu, si jemi, edhe të ngarkuar me mëkate. Sepse Zoti dëshiron të na shërojë, të na falë. E na prin me dashuri, që të mund të shkelim edhe nëpër shtigje të ngatërruara, pa e humbur kurrë rrugën.

Nëse ftohet lidhja me Jezusin, mbizotërojnë mënyra të tjera të jetuari

Por edhe ne jemi të ftuar ta njohim Jezusin - nxiti Papa - E për ta bërë këtë, duhet të heqim dorë nga  vetëvlerësimi, nga vetëdashja, nga besimi në forcat tona njerëzore, e të ecim në udhë të reja,  të hapura drejt horizonteve të pafundme.

Kur në bashkësitë tona ftohet dëshira për ta jetuar marrëdhënien me Jezusin, për ta dëgjuar zërin e Tij e për ta ndjekur besnikërisht pas, është e pashmangshme lindja e mënyrave të mendimit, që nuk përkojnë me Ungjillin:

“Maria, Nëna jonë, na ndihmoftë për të pasur marrëdhënie gjithnjë më të forta me Jezusin. Për t’ia hapur zemrën Jezusit, që të hyjë lirisht brenda nesh”.

Kemi nevojë për një lidhje gjithnjë më të fortë: Ai u ngjall. Ecën mes nesh, e kështu edhe ne mund ta ndjekim për gjithë jetën.

Urimi, që të shumohen thirrjet

E në përfundim të lutjes, Papa kujtoi përsëri se në këtë të Diel IV të Pashkëve,  Kisha kremton Ditën e Lutjes për Thirrjet, sivjet me temë: “Dëgjoje,  shqyrtoje, jetoje thirrjen e Zotit!” . E ftoi për ta falënderuar Zotin:

“Sot, në mënyrë të posaçme, ta falënderojmë për meshtarët e rinj, që i shugurova pak më parë në Bazilikën e Shën Pjetrit. E t’i kërkojmë Zotit të na dërgojë shumë e shumë punëtorë, për të punuar në arën e tij, ashtu si dhe shumë thirrje për jetën rregulltare e martesën e krishterë. Gjashtëmbëdhjetë meshtarë! Prej tyre, katër erdhën këtu, për ta dhënë bekimin së bashku me mua”.








All the contents on this site are copyrighted ©.