2018-04-22 10:00:00

Një javë në Kishë e nëpër botë


Sot me 22 prill kremtohet Dita e 55-të Botërore e lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare. Në qendër të vëmendjes, në Mesazhin e Papës, botuar më 4 dhjetor 2017, përmasa misionare e thirrjes së krishterë. Ati i Shenjtë u kujton të gjithë besimtarëve se angazhimi misionar nuk është shtesë e jetës kristiane, si të ishte stoli, përkundrazi, është zemër e vetë fesë e hap i parë drejt thirrjes meshtarake. E edhe drejt përgjigjes, që na e kërkon Krishti, i vajosur nga Shpirti Shenjt dhe i dërguar mes nesh; na e kërkon Zoti, që na ecën përkrah e bën të mbijë fara e fesë!Me këtë besim t’ia hapim zemrat veprimit të heshtur të Shpirtit Shenjt në jetën tonë të krishterë, kundrimit e lutjes për të gjithë ata, që e shkrijnë jetën në shërbim të Ungjillit - është ftesa e Papës kushtuar Ditës së 55-të Botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare.

Nesër, në Romë, pranë Sallës Marconi të Vatican News - Radios sonë, do të paraqitet vëllimi “Zoti është poet. Dialog i pabotuar i politikës me shoqërinë”, ndërmjet Papës Françesku me Dominique Wolton. Gjatë një viti të tërë, Wolton u prit dymbëdhjetë herë nga Papa Françesku. Rezultati i këtyre takimeve të frytshme e dashamire, është ky libër-intervistë, në të cilin Papa prek lirisht tema vendimtare për kohën tonë e për papninë e tij: temën e paqes e të luftës, të politikës me P të madhe (parë si një nga format e bamirësisë) e të globalizimit; të larmisë kulturore, të fundamentalizmit, “laicitetit të drejtë”, pabarazive ekonomike e, sidomos, të mungesës së punës. Flitet edhe rreth perspektivave për të rinjtë,  “marrëzisë” së sundimit absolut të perëndisë para e nevojës së një ekonomie “konkrete”, të përqendruar mbi mirëqenien e njerëzve; për Evropën, emigrantët, mbrojtjen e ambientit, dialogun ndërmjet të krishterëve, ndërmjet feve, ndërmjet ateistëve e besimtarëve… Është një intervistë, në të cilën nuk ka vend për konformizëm e stereotipe. Fjalët kyçe të papnisë së Françeskut janë: “gëzim”, “dhembshuri”, “lutje”, “paqe”, “fe”, “kryq”, “përvujtëri”, por edhe “humorizëm” – e i drejtohen humanitetit tonë, për të ndriçuar shtigjet e jetëve tona.  

Vizita e parë zyrtare e Kryetarit të Konferencës ipeshkvnore italiane në BE.

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore italiane, kardinali Gualtiero Bassetti, në krye të një delegacioni, do të jetë në Bruksel që sot, deri më 25 prill, për të hapur një dialog konstruktiv me institucionet evropiane. Mbi tryezën e bisedimeve do të jenë edhe problematikat italiane si dhe roli kyç, që po ofron Kisha në sektorë delikatë, si ai i shkollës, i shëndetit dhe i shërbimeve shoqërore të bazës, duke e mbështetur popullsinë sidomos në integrimin dhe veprimtarinë humanitare, me vëmendje të posaçme ndaj njerëzve më të ligshtë.

Gjatë vizitës në Bruksel, kardinali Bassetti do të kremtojë tri meshë: e para parashikohet për 23 prill (në orën 12.30, në kapelën e Comece); e dyta, më 24 prill (në orën 11.30, pranë Parlamentit evropian) e, më pas, më 25 prill (në orën 11.30, në kapelën e Comece).

Perugja: Dje, 21 prill, në Sallën e Rektoratit pranë Kiostrit të katedrales së Perugjës, u mbajt konferenca me temë “Drama e të krishterëve të Lindjes së Mesme”. Në takimin, organizuar kryesisht nga Ndihmë për Kishën që vuan, u paraqit një panoramikë e persekutimit të të krishterëve në botë, posaçërisht në Lindjen e Mesme. Më pas u fol për situatën tejet të vështirë  të të krishterëve në Siri dhe përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës.

Brazil: Sfida të shumta i presin prelatët e Konferencës ipeshkvnore braziliane, mbledhur në Aparesidë për asamblenë e tyre të 56-të plenare. Ndërmjet tyre, sfida e varfërisë, pasojë e së cilës është prostitucioni i përhapur e dhuna, sidomos në dioqezat amazonike të kufirit. Nuk është fjala thjesht për dhunë fizike, edhe kjo, shumë e rëndë, por sidomos, për dhunë strukturore, që i shkel të drejtat e brazilianëve në të gjitha fushat e jetës, duke nisur nga ajo e shëndetit, e shkollës, e universitetit e, posaçërisht, e punësimit. Nuk mungon as dhuna kulturore e sundimtarëve, që mendojnë se kanë epërsi mbi të tjerët, se kanë më shumë të drejta e se mund t’i trajtojnë me arrogancë të papranueshme njerëzit, që ua besuan verbërisht sundimin e vendit.

Ekuador:  ipeshkvijtë kërkojnë paqe në kufirin me Kolumbinë

Mbetet dramatike situata në jugperëndim të Kolumbisë, gjatë kufirit me Ekudorin, ku u vranë tre gazetarë ekudorianë, të rrëmbyer nga grupet e disidentëve vendas. Pavarësisht nga marrëveshja e paqes, nënshkruar nga qeveria me rebelët, situata këtu mbetet e rëndë, sidomos për të rinjtë. E pikërisht të rinjtë janë në qendër të vëmndjes së Kishës, që po përpiqet me të gjitha forcat për zhvillimin e vendit, duke kujtuar frazën e famshme të Palit VI: “Nuk ka paqe, pa zhvillim”.

Irlandë: Letër baritore lidhur me referendumin mbi abortin

Në prag të referendumit mbi abortin, që do të mbahet më 25 maj, në Irlandë, imzot Denis Nulty, ipeshkëv i Kildare and Leighlin, kryetar i agjencisë që merret me baritorinë martesore, shkroi një Letër. Përmes saj  mbron me forcë të drejtën për jetën që nga zënia. Letra titullohet: “Two Lives, One Love”(Dy jetë, një dashuri e vetme).

Jeta njerëzore është e shenjtë - pohojnë ipeshkvijtë irlandezë, duke kujtuar edhe Kushtetutën e vendit, në të cilën pohohet se nëna dhe fëmija ende i palindur kanë të njëjtat të drejta”.

SHBA- Kore e Veriut: prova për dialog

Ecin me hapa plumbi bisedimet ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë së Veriut, nësa pritet fjala e fundit për takimin e presidentit Trump me Kim Jong Un, ndërmjet majit e qershorit. Ngjarjes së pritur i priu vizita e Sekretarit të ri të Shtetit, Pompeo, që bisedoi në fshehtësi me liderin korean. Megjithatë  takimi Trump-Kim mbetet ende krejt i paqartë.

Kuba pret presidentin e ri, Miguel Diaz-Canel

Si çdo epokë, merr fund edhe epoka Kastro në Kubë. Nis ajo e Miguel Diaz-Canel, 57 vjeçar, i lindur gjatë revolucionit të Fidelit. Pa harruar se Raul Kastro do të mbetet në rolin strategjik, në krye të Forcave të Armatosura Revolucionare e të Partisë Komuniste. Sepse Partia Komuniste e Kubës, nuk e ka marrë mundimin ta ndërrojë emrin, si partitë e tjera komuniste, që gjithsesi, mbetën ato, që ishin. Po kursin, do ta ndërrojë Kuba? Do të jetë vetëm simbolike besnikëria ndaj revolucionit, pa e penguar hapjen e portave për ekonominë e tregut? Sipas yrnekut të Kinës? Këtë do ta tregojë e ardhmja.








All the contents on this site are copyrighted ©.