2018-04-22 18:58:00

Liturgji në kujtim të imzot Eleuterio Fortino


Me 22 prill, në orën 10.30, në Kishën e Shën Athanasit të Grekëve, në Romë, u kremtua Liturgjia me Trisaghion (Eukaristinë), dhe me shpërndarjen e Kolivit (grur i zjerë, simbol i ringjalljes), për shpirt të Imzotit të paharruar,  Eleuterio F. Fortinos dhe mikut të madh të shqiptarëve, profesor Tommaso Federici.

Imzot Fortino, meshtar i heparkisë italo-arbëreshe të Kalabrisë, i lindur në Benedetto Ulano, Kalabri, më 2 prill 1938, la pas një kontribut të shquar në dialogun ndërmjet të krishterëve, si sekretar i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, duke bashkëpunuar me pasion për thellimin e dialogut vëllazëror e teologjik ndërmjet shumë Kishave të krishtera jo katolike, posaçërisht atyre lindore të traditës bizantine. Në vijim, u emërua Sekretar katolik i Komisionit të përbërë telogjik të Kishës Katolike e asaj Ortodokse. Ndërsa banonte në Romë, kujtonte gjithnjë  Kalabrinë e tij, e posaçërisht Ungron.

E ndjente veten thellësisht arbëresh e, prej këndej, pati themeluar, në Rrugën e Babuinit, pranë Kishës së Shën Athanasit, në Romë, një fole të ngrohtë për shqiptarët, që mblidheshin aty për festa por edhe për të shkëmbyer dy fjalë mike me imzotin. Aty i shikoje të bashkuar shqiptarët mërgimtarë me rrënjë në “Motin  e Madh”, me ato “të moteve të vogla”, të ikurit e viteve ’90. Aty mund të takoje Ernest Koliqin, Lin Delinë (e pikturat e tij), Nermini Vlorën, profesor Italo Fortinon e bashkëshorten e tij, shkrimtaren Katia Zuccaro, e, natyrisht, edhe meshtarë shqiptarë me banim, a të ardhur, në Romë për punë të ndryshme.

Për më se 25 vjet ishte nënsekretar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të krishterëve. Meritoi, më 2007-tën, “Trëndafilin e argjendtë”, për kontributin e shquar në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kishave Ortodokso-Lindore. Më 2009 iu dorëzua, në Shën Dhimitër Korone, “Çmimi Arbëria”. Angazhimi i dendur ekumenik në Vatikan, nuk e pengoi kurrë lidhjen e  tij të ngushtë me botën shqiptare, për të cilën krijoi edhe fletëpalosjen “Besa-Fede”, në shërbim të traditës  kulturore arbëreshe e shqiptare.  Kaloi në jetën e amshuar më 22 shtator 2010, për t’u nisur, më 26, për udhëtimin e tij të fundit, në Kalabri, ku pushon në paqe në Kishën famullitare të Shën Benedetto Ullano.   








All the contents on this site are copyrighted ©.