2018-04-22 12:30:00

Edhe një tributarist, ndërmjet meshtarëve të shuguruar sot nga Papa.


Ndërmjet 16 diakonëve, që u shuguruan sot meshtarë nga Papa, ishte edhe një tributarist. Është fjala për një profesionist, që jep këshilla dhe vepron në sektorin fiskal, në fushën publike e atë private. E që të kujton, sadopak, Shën Mateun Ungjilltar. Profesioni ndër ne, njihet ende aq pak, sa emri i tij nuk gjindet në asnjë fjalor shqip. Po e quajmë, prandaj, thjesht, tributarist, i pari profesionist i kësaj natyre, që shugurohet meshtar, nësa në Kishën universale ka meshtarë që ushtrojnë profesione nga më të ndryshmet, që nga ai i mjekut, tek ai i mësuesit, i ekonomistit, i piktorit, muzikantit…e një mori profesionesh të tjera, për të cilat kemi vazhdimisht nevojë gjatë jetës: por të shuguruarit, që i ushtrojnë këto profesione, dallohen menjëherë nga profesionistët e tjera: janë kryesisht meshtarë! Meshtar u shugurua sot, nga dora e Papës, edhe tributaristi: “Ndjeva se Zoti më donte me një ngrohtësi, që nuk e kisha provuar kurrë: Zoti më befasoi e unë befasova vetveten, duke marrë guximin t’i përgjigjem me një ‘po’, të dalë nga zemra, thirrjes, që po ma drejtonte me aq dashuri”.

Sot është data 22 prill. E diel. Kremtohet Dita botërore e lutjes për thirrjet meshtarake dhe rregulltare. E pikërisht sot Papa Françesku kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën me shgurimin meshtarak të 16 diakonëve. Bashkëkremtoi, me Atin e Shenjtë, ndërmjet të tjerësh, kryeipeshkvi Angelo de Donatis, mëkëmbës i Papës për dioqezën e Romës.

Njëmbëdhjetë meshtarë  të rinj, për dioqezën e Romës

Meshtarët e rinj - njëmbëdhjetë, për dioqezën e Romës -  e shqiptuan “po”-në e tyre sot, në të Dielën IV të Pashkëve, që njihet si e Diela e Bariut të Mirë. Gjashtë prej tyre u formuan në Kolegjin dioqezan Redemtoris Mater; pesë studiuan pranë Seminarit të Madh Romak; katër i përkasin Familjes së Dishepujve e një, që e kreu rrugën e  tij pranë famullisë së Gjithë Shenjtorëve, në udhën Appia, Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore (Don Orione).

Thirrje në Udhën Neokatekumenale

Kanë origjinë, përvojë jete e karizma të ndryshme, por “thirrja” ishte për të gjithë burim  mirënjohjeje e shprese. “Është ditë për ta falënderuar Zotin, që më priu në udhën e meshtarisë – tregoi për revistën dioqezane të Roma Sette, të dielën e kaluar, Thierry Randrianantenaina, 27 vjeç, ardhur nga Madagaskari e student në Redemptoris Mater. - Familja ime kishte shumë probleme. Babai pinte, gjë që peshonte rëndë mbi jetën tonë. Po ndihma e Kishës, sidomos përvoja neokatekumenale, na bëri të provojmë mëshirën e  Zotit. Babai u bë njeri tjetër. Tjetër, edhe jeta në familje.

Edhe thirrja e Juraj Bašković, 37 vjeç, kroat, fitoi pjekurinë në gjirin e Ecjes Neokatekumenale, së bashku me tre të shuguruarit e tjerë: 37 vjeçarin  Phaolo Do Van Tan, me origjinë nga Vietnami, një moshe me Thein Lwin, nga Mianmari, me kolumbianin Fabio Alejandro Perdomo Lizcano, i datëlindjes 1982 e Moises Pineda Zacarias, lindur në San Salvador, në vitin 1990.

Nga tributarist, meshtar

Renato Tarantelli Baccari, nga famullia e Trionfales, 41 vjeç, është më i moshuari nga pesë të shuguruarit e Seminarit të Madh Romak. “Thirrja ime e vonë - tregon - erdhi pasi e kisha nisur jetën time personale e profesionale si pedagog i  Drejtësisë tributare”. Nëntë vjet më parë një përvojë tronditëse, siç ishte shtegtimi nga Lurda, në Santjago, “më bëri të kuptoj çka po kërkoja! E ishte diçka krejt e ndryshme nga ajo, që kisha kërkuar deri në ato çaste. E ndjeva se Zoti më donte me një dashuri e ëmbëlsi të paprovuar ndonjë herë; Zoti më befasoi, e edhe unë  u befasova, duke gjetur guximin për t’i dhënë, pa asnjë kusht, gjegjen “po”, thirrjes së Tij.

Zbehje e të gjitha dëshirave, para thirrjes së Zotit

Edhe Gabriele Nasca, i famullisë së Zojës së Dhimbshme, 29 vjeç, ndjeu si binin të gjitha pengesat e si shembej çdo frikë përballë thirrjes së Zotit”, ashtu si  Emilio Cenani, 32 vjeç, si  diakoni Massimo Cunsolo, 28 vjeçar e si Michele Ferrari, 26.

Entuziazëm në ungjillëzim

Don Gabriele Faraghini, rektor  Seminarit të Madh Romak që nga shtatori, i shpreh mirënjohjen e tij Zotit për këto fryte, që ai nuk i mbolli e as nuk i rriti e uron që meshtarët e rinj të mos e humbasin kurrë entuziazmin e ungjillëzimit e, sidomos, të vazhdojnë t’i duan mbi gjithçka, Bariun dhe delet e tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.