2018-04-20 11:04:00

Me 20 prill kalendari kishtar kujton Shën Aniçetin, Papë


Me 20 prill kalendari kishtar kujton Shën Aniçetin, Papë. Të krishterët nuk kanë arritur akoma të merren vesh për kremtimin e Pashkëve në të njëjtën ditë. Problem që mbetet ende i pazgjidhur, ndonëse përpjekjet nisën që në vitet 140-145 nën papninë e Piut I. 

Piu I u përpoq ta zgjidhte problemin, duke caktuar si ditë feste për të gjithë, të dielën e parë pas hënës së plotë të pranverës. Por të krishterët e Lindjes vijuan ta kremtojnë solemnitetin në një datë të pandryshueshme e pikërisht më 14 të muajit hënor Nisan, kur nisën të kremtoheshin Pashkët e hebrenjve.

Papa Aniçeti eci në gjurmët e Piut I, por nuk mundi ta zgjidhte problemin e datës së përbashkët. U takua, për këtë, me ipeshkvin e Kishës lindore, Polikarpin e Smirnës. Diskutuan për një kohë të gjatë, pa u marrë vesh, por u ndanë në paqe. Madje Aniçeti e rrethoi ipeshkvin e Azisë (martir i ardhshëm) me shumë nderime e kujdese. Kështu vërtetë nuk mundi ta njëjësojë datën, por e shpëtoi Kishën nga rreziku i një skizme të re për shkak të saj.

Ka shumë mundësi që Aniçeti të ketë ardhur në Romë nga Siria e, duke zënë vendin e Piut I, ta ketë gjetur Kishën shumë të pështjelluar. E kjo, sepse para tij, nga Lindja kishte ardhur në Romë teologu Marçione, i mirëpritur nga bashkësia romake për bujarinë e edhe për moralin e tij të padiskutueshëm. Pikërisht ky teolog kishte përhapur një teori të re, bazuar mbi një Zot që është Ati i Jezu Krishtit, por jo Hyji i Besëlidhjes së Vjetër. Me një fjalë, fliste për dy Zota: njëri shëlbues e tjetri gjykatës.

Krijoi kështu çrregullime aq të mëdha në Romë, sa Polikarpi e quajti djali i madh i Shejtanit. Aniçeti mendonte se doktrina luftohet me doktrinë, duke studiuar më shumë për t’i udhëhequr si duhet besimtarët e sidomos, me shembull. Prandaj emëroi një numër të madh meshtarësh e diakonësh, nga të cilët kërkoi të jepnin shembull të mirë, që ta shikonin e ta ndiqnin të gjithë. I ndaloi rreptësishtë meshtarët të silleshin kot e të mbanin flokë të gjatë: të gjithë duhet t’i qethnin flokët shkurt e të punonin jo me fjalë boshe, por me vepra, për mbretërinë e Hyjit. Dha vetë i pari shembull të shkëlqyer, duke mbrojtur pastërtinë e doktrinës, pa frikë nga persekutimet, që nuk i munguan.

Jetoi 11 vjet me ankthin shpirtëror të Kishës universale, që ishte në rrezik, që duhej shpëtuar e duhej nxitur me energji për të dalluar problemet kryesore nga ato të dorës së dytë. Vdiq gjatë persekutimit, viktima të të cilit qenë edhe Shën Justini e Shën Feliçita. Trupi i tij u varros në minierën pucolanë, e cila më pas u shndërrua në katakombet e Shën Kalistit.








All the contents on this site are copyrighted ©.