2018-04-20 08:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të kohës së Pashkëve ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës liturgjike të Pashkëve.

Kisha ia kushton këtë të diele të 4-të të Pashkëve, e cila quhet e Bariu i Mirë, lutjes dhe reflektimit për thirrjet e shenjta meshtarake e rregulltare. Në qendër të liturgjisë së Fjalës së Zotit është diskutimi i pasionuar, në të cilin Jezusi, në polemikë të plotë me klasën sunduese të Izraelit, e paraqet veten si "bari të mirë", domethënë si atë që i mbledh dhe udhëheq delet deri në ofrimin e jetës për shpëtimin e jetës së tyre.

Pra, në këtë të diele liturgjia e Fjalës së Zotit flet për popullin e Zotit si për një grigjë të përvuajtur besimtarësh, që i është besuar Bariut të saj, Jezu Krishtit të Gjallë. Fjala e Zotit e thërret çdonjërin për të ndjekur pas Bariun e Mirë – Jezusin me besnikëri e qëndresë, për t’ia njohur e dëgjuar zërin dhe për të ecur pas Tij drejt shëlbimit.

E diela e 4-të e Pashkëve është  pra e diela e “Bariut të Mirë”, e vërtetë, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi prezantohet si "bari i mirë" që e "dhuron jetën për delet" e veta. Në këtë të diele të 4-tё Pashkëve, Jezu Krishti Ngjallur na paraqitet me fytyrën e Bariut të mirë. Jezusi,pra, është Bariu i mirë, Bariu i drejtë, që dëshmon e përhap dashurinë e butë e përdëllyese të Atit Qiellor.

Çdo të diele të kohës së Pashkëve, leximet biblike na flasin për dashurinë, për mirësinë dhe përdëllimin e Zotit Jezus,  që Ai ka dëshmuar me mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e Tij. Ky është misteri i Pashkëve. Dashurinë e pakufishme që Jezusi e ka për ne, në pjesën ungjillore të kësaj së diele nga Gjoni 10, 11-18, e shfaq përmes shembullit të Bariut të Mirë, titull me të cilin Ai paraqitet si Udhë, e Vërtetë dhe Jetë për njerëzit. Bukuria magjepsëse e Bariut është mirësia e tij dhe guximi i tij. Ai i mbron delet kundër ujqve, duke e ofruar, madje e dhuruar jetën e tij për jetën e tyre, sikur dëshmon kryqi i tij.

                                            Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 4, 8-12
Mrekullia e kryer nga Pjetri dhe Gjoni duke shëruar të paralizuarin është shenjë e fuqisë së Jezusit, ai Jezus që autoritetet fetare e kanë kryqëzuar dhe që Hyji Atë e ka ringjallur. Mrekullia është prova se Jezusi është gjallë dhe që kohrat e fundit kanë filluar: do të thotë koha e kishës. Pjetri fillon predikimin e emrit të Zotit Jezus: kush beson në emrin e tij beson se fitorja e tij mbi vdekjen dhe mëkatin vazhdon akoma edhe sot. Kush është i pagëzuar bashkëpunon sot me Krishtin për shpëtimin e çdo njeriu.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në atë ditë, Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! Pasi ju sot po na merrni në përgjegjësi për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua, le të dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’, e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 118
Guri i qitur jashtë përdorimit, 
u bë gur i këndit


Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në princa.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar

dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit
ndërtuesit, erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

Ti je Hyji im, ty të falënderoj;
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Leximi dytë 1 Gjn 3, 1-2
Ringjallja e Krishtit nuk është për të gjithë, por vetëm për ata që besojnë. Ata që refuzojnë t’i besojnë Krishtit mbyllen ndaj mundësisë për të njohur jetën e Hyjit të pranishme në besimtarët. Hyji na ka dashur aq shumë saqë mund të quhemi bijtë e tij dhe ka shpërndarë në ne bamirësinë e tij prej Ati. Nëse me të vërtetë jetojmë si bij të Hyjit dëshmojmë dashurinë e Atit dhe i ftojmë të tjerë ta njohin.

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja, aleluja.
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja

Ungjilli Gjn 10, 11-18
Jezusi, bariu i vërtetë që kujdeset për delet e tija (njerëzit e të gjitha kohërave) dhe i mbron nga “ujku” (djalli dhe mëkati) që gjithmonë i kërcënon. Jezusi është një bari që na lë të lirë ta zgjedhim dhe të vendosim. Ai është bariu i mirë që nuk kërkon interesat dhe lavdinë e tij; nuk është një kryetar që manipulon turmat: i propozon secilit miqësinë e Atit. Ai nuk pretendon të bëjë një grigjë të mbyllur dhe të përsosur, por kërkon delet e largëta dhe të sëmura.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. Rrogëtari, - që s’është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë – kur sheh se po vjen ujku, lë dhentë e ikën – e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen. 
Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.