2018-04-20 17:51:00

Kthehet në Pragë kardinali Beran, martir i nazizmit dhe i komunizmit


Eshtrat e ish-kryeipeshkvi i Pragës, kardinali Josef Beran, i internuar në Dachau e pastaj, në burgjet e regjimit komunist çekosllovak, vdekur në Romë si refugjat në vitin 1969, u kthyen në Pragë, ku do të pushojnë në katedralen e qytetit, pasi kanë qëndruar për gati 50 vjet në Kriptën e Bazilikës së Vatikanit.

         Ceremonia e translacionit u kryesua nga vikari i Papës për Qytetin e Vatikanit, kardinali Angelo Comastri. “Dëshmoi se në qoftë se jemi në bashkim me Zotin, mund ta kalojmë persekutimin duke kënduar”.

Jeta e kardinalit Beran

         Lindur më 1888 në Plzeň, kardinali i ardhshëm u burgos fillimisht nga nazistët, për tre vjet në Dachau e, pastaj, nga regjimi komunist çekosllovak në burgje të ndryshme, nga viti 1949 deri në vitin 1963. Kardinali Comastri përmendi dëshmitë e shumë bashkëvuajtësve, të cilët çuditeshin me qetësinë, buzagazin e guximin e Josef Beranit. “U buzëqeshte të gjithëve, i inkurajonte të gjithë e, çdo mbrëmje, në barakën 26 rezervuar për meshtarët, Beran gjunjëzohej para të gjithëve e, në heshtje, lutej e thoshte breviarin si të ishte në ndonjë katedrale. Burimi i qetësisë së tij ishte ajo lutje, ai bashkim me Zotin”.

Selia e Shenjtë arriti të fitonte faljen e kardinalit nga regjimi komunist

         Më 4 tetor 1963, Selia e Shenjtë arriti të fitonte faljen e kardinalit nga regjimi komunist çekosllovak, por atij nuk iu lejua të kthehej në krye të dioqezës. Regjimi i dha mundësinë të merrte pjesë në Koncilin II të Vatikanit, me kusht që të mos kthehej më në atdhe. Kryeipeshkvi pranoi për të mirën e Kishës çekosllovake. I Lumi Pali VI e krijoi kardinal në shkurt të vitit 1965. Pastaj, beteja me kundërshtarin e tij të fundit, tumorin, përfundoi me vdekjen e kardinalit më 17 maj 1969. U varros në Kriptën e Vatikanit, në një kapelë, që zakonisht u rezervohet ekskluzivisht papëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.