2018-04-19 08:00:00

Kështu shkroi don Tonino Bello duke pritur Gjon Palin II, më 1980


Kështu shkroi don Tonino Bello duke pritur Gjon Palin II, më 1980: “Premto, o Zot, që ky popull ta ruajë gjithnjë dinjitetin e të mos pranojë të shitet për një thes miell para asnjë pashai, që kërkon ta sundojë! E çliroje nga  fjalët boshe të sundimtarëve të tij!”.

Nesër Papa Françesku do të shkojë për vizitë baritore në Alessano (Lecce) e Mofeta (Bari). Shtegtim, për të kujtuar 25-vjetorin e vdekjes së imzot Antonio Bello-s, ipeshkëv i ndjerë i Molfetës, Kryetar i Pax Christi e, sidomos, pendë e fuqishme e Kishës Katolike. Ndërmjet shumë shkrimeve  të don Bello-s, mbledhur nga Fondacioni Don Tonino Bello në librin “Don Tonino, shteg i Hyjit”, botuar nga Paolinët, është edhe teksti i tetorit 1980, dalë në njërën nga gazetat lokale, i frymëzuar nga vizita baritore  e Gjon Palit II në Otranto, më 5 tetor 1980, për të nderuar kujtimin e 800 martirëve të qytetit, në 500-vjetorin e martirizimit të tyre:

“Erdhi Gjon Pagëzuesi; as nuk hëngri bukë as nuk piu verë, e ju thoni: ‘Ka në trup djallin.’ Erdhi Biri i njeriut: Ky ha e pi, e ju thoni: ‘Ja, gopçi, pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve!’.

Njerëzit nuk pushojnë kurrë s’e marri nëpër gojë njëri-tjetrin. Si në kohë të Krishtit, ashtu në kohët tona. Shpërrallojnë.  Sido që të sillesh e çkado që të bësh, nuk shpëton dot prej gojëve të këqija. 25 vjet më parë thuhej se Papa, në vend që të mbyllej në Kullën e Fildishtë të Vatikanit, do të bënte mirë t’i sillej rrotull botës, për t’i njohur nga afër problemet e Kishës e të njeriut. Pa çka se plak. Sot, kur papa është i ri e vrapon nga një skutë e tokës në tjetrën,  njerëzia kujtojnë me mall pararendësin, që dilte rrallë nga Kulla e Fildishtë. Keq kështu e keq ashtu…

“Pse gjithë ky shpenzim vaji? Mund të shitej e fitimi t’u ndahej të varfërve…” .

Kështu vijojnë të llogariten paratë e shpenzuara për dashurinë e krishterë! Si i pati llogaritur Juda, tradhtari, kur Maria lyente këmbët e Krishtit me vajin e parfumuar. E si po i llogarisin sot ca njerëz që shfryjnë: “Të kota, gjithë këto shpenzime për papën që vjen! Më mirë të investoheshin në ndihmë të të varfërve”- Thua se Papa vjen për të pasurit! Ndërsa të varfërve nuk u shkon as nëpër mend të bëjnë llogari të tilla. Pa harruar t’i përbuzin, në zemrat e veta, ata që duan t’i lënë sot edhe pa nderin e pritjes së mysafirit të ndritur, qoftë edhe për një ditë të vetme.

"Na ishte një herë një turmë e madhe dishepujsh e një shumicë e madhe njerëzish nga mbarë Galileja, nga Jeruzalemi, Tiri e Sidoni, që kishin ardhur ta dëgjonin... e gjithë turma shtyhej rreth Tij, me dëshirën e zjarrtë për ta prekur….”.

Kaq thotë Ungjilli, po nuk është e vështirë ta përfytyrosh korin e kundërshtimeve farizeike kundër Jezusit; “Shih si ngasin njerëzit mbas Tij. Si t’i kishin shituar shtrigat. Janë si delet…”. Sot, për një Papë që i kall zjarr zemrat e njerëzve, përdoret një fjalor më i rafinuar, por jo më pak i ngarkuar me dyshime e pakënaqësi. Flitet për triumfalizëm, për teknika konsensusi.

Fakti është se shumëkush nuk arrin t’i kuptojë ekulibrat, që mbajnë jetën e Kishës. “Një “hosana” paguhet me njëqind “kryqëzoje!”. Përballë Krishtit të duartrokitur nga turmat, është Krishti që vdes në vetminë më të zezë. I mbërthyer mbi kryq! E sot, mbi shpinë të Papës së duartrokitur nga turmat, peshon barra tejet e rëndë e tetëqind martirëve, që e përligj, madje edhe e tejkalon, brohorinë e botës.

Por, a do të munden besimtarët e Otrantos t’i bindin dyshimtarët e shtëpisë sonë se Papa po shkel në këto troje “në emër të Zotit?

“Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur e të shtypur….!”

Do të dëshironim që, duke u shkëputur nga toka për t’u nisur drejt trojeve tona, Papa të lutej kështu: “Bekoje, o Zot, këtë popull të fortë e dinjitoz, të dërmuar nga padrejtësi shekullore, por të mësuar të vdesë në këmbë, si martiri Primaldo. Premto ta ruajë gjithnjë dinjitetin e tij e të mos pranojë kurrë të shitet për një thes miell, para asnjë pashai, që kërkon ta sundojë! Jepi një ardhmëri përplot me premtime. E çliroje nga  fjalët boshe të sundimtarëve të tij!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.