2018-04-19 13:13:00

19 prill 2018 Trembëdhjetë vjetori i zgjedhjes së Benediktit XVI: Timonieri i Kishës së Krishtit


Sot bie trembëdhjetë vjetori i zgjedhjes së kardinalit Joseph Ratzinger-it në selinë papnore. Në qendër të programit të papnisë së tij, përvijuar qysh në ditën e parë, Krishti që është dashuri e që kërkon ta duash, ashtu sikur Papa Benedikti XVI na mëson në enciklikën “Zoti është dashuri”. Krishti është “miku” i çdo njeriu që di e do ta kërkoi, deri sa të bëhet zbulim i mahnitshëm sikur ka qenë për Joseph Ratzingerin si person, sikur na ka dëshmuar me thjeshtësi të jashtëzakonshme në librin e tij kushtuar Jezusit, sikur na mësoi me homelinë, katekizmat e fjalimet tjera publike.

Pika tjetër qendrore e Papës  së nderit Benediktit XVI është njeriu me etjen e vet për të vërtetën që mund shuhet vetëm nga Zoti. Dialogu mes fesë dhe arsyes, familja dhe mbrojtja e jetës, zbatimi i Koncilit të II-të të Vatikanit, impenjimi ekumenik e dialogu ndërfetar me fe tjera, në mënyrë të posaçme me Islamin.

Sikur pati pohuar zëdhënësi i asaj kohe i Vatikanit, Atë Lombardi: “thelbi i papnisë së Benediktit XVI është t’i kthejë njerëzit në rrugën e Zotit, përmes dashurisë Krishtit. Përmes mësimeve, takimeve, udhëtimeve apostolike e kremtimeve liturgjike , Papa bart edhe mesazhin e pajtimit, të faljes e të paqes për të gjithë popujt e botës”.

Këto pra janë disa pika themelore që Papa i nderit Benedikti XVI i ka shpallur që nga dita e parë e papnisë së vet e të cilat i çoi përpara që nga ai 19 prill i 2005, kur Konklava e pati thirr të zëvendësonte Papën Gjon Palin II-të e deri te 11 shkurti 2013, ditë kur Papa Benedikti XVI njoftoi për gjestin epokal të dorëheqjes nga drejtimi i Kishës e bota nuk mund të besonte, mbeti pa fjalë, e habitur, ndoshta e tronditur. Joseph Rartzinger hiqte dorë nga misioni pjetrin. Pas trembëdhjetë vjetësh, nuk ka asnjë dyshim se ai gjest ishte një gjest i madh dashurie për Kishën, gjest i madh përvujtërie përballë këtij misteri kaq të madh, që feja e Benediktit XVI e shikonte me sigurinë e njeriut, i cili udhëhiqet nga Shpirti Shenjt. E ja pse kjo përmasë e mëshirës së Zotit, që mbështet Kishën, e shtyu, pikërisht për dashuri të Kishës, të hiqte dorë.

"Benedikti XVI ‘na ka dhënë një shembull të madh të dëgjimit të ndërgjegjes personale e vendimit të marr së bashku me Zotin ‘ kur Hyji e bëri të kuptonte, në lutje, hapin që duhej të bënte”. Me këto fjalë Papa i ri Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 20 qershorit 2013, në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan,  ekzaltoi cilësitë morale të paraardhësit të vet, Benediktit XVI, i cili “e ndoqi me arsye të madhe e guxim – theksoi Ati i Shenjtë Françesku - ndërgjegjen e vet, do të thotë vullnetin e Jezusit në ndërgjegje”. “Shembulli i atit tonë  Joseph Ratzinger – përsëri Papa Bergoglio – na bënë mirë, pra çdonjërit prej nesh i bënë të ndiqet”. Kjo sepse ndërgjegjja, shtoi Papa Françesku, është caku shpirtëror i lidhjes sime me Zotin, që m’i flet zemrës e më ndihmon ta dalloj, ta kuptoj e ta zgjedh rrugën, që duhet të ndjek. E, si ta kem marrë vendimin, më ndihmon edhe të ec përpara, të mbetem gjithnjë besnik: “Ne kemi pasur një shembull të mrekullueshëm, që na tregon sesi është kjo lidhje me Hyjin në ndërgjegje, një shembull të freskët, të mrekullueshëm: Papa Benedikti XVI na e dha këtë shembull të madh”, pohoi Papa Bergoglio.








All the contents on this site are copyrighted ©.