2018-04-18 12:32:00

Papa pret babain e Alfie: vetëm Hyji është Zot i jetës


Papa u takua, në Shën Martë, me babain e Alfie. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku deshi të tërheqë përsëri vëmendjen mbi vogëlushin anglez, si dhe mbi Vincent Lambert, duke theksuar me forcë se i vetmi Zot i jetës, që nga lindja e deri në perëndimin e saj të natyrshëm, është Hyji i gjithëpushtetshëm.

Papa Françesku, pra, sot paradite, priti, në Shtëpinë e Shën Martës, Thomas Evans, babain e Alfie-s, anglezit të vogël, rreth moshës 2 vjeçare, të prekur nga një sëmundje neurodegjenerative e panjohur, shtruar pranë Alder Hey Children Hospital të Liverpulit, të cilit mjekët mendojnë se i duhet  hequr spina, sepse kështu është më në interes të tij. Po prindërit duan ta çojnë në Spitalin e Krishtit Fëmijë, në Romë,  që është treguar i gatshëm ta mirëpresë e ta ndjekë deri në fund të fundit. Transferim ky, i mohuar si nga mjekët, ashtu edhe nga gjykata. Pritet fjala e fundit, që do ta thotë Gjykata e Lartë!

Në përfundim të audiencës, Papa shqiptoi këto fjalë:

“Kërkoj përsëri të ndiqet me vëmendje gjendja e Vincent Lambert-it dhe e Alfie Evans-it të vogël, e dëshiroj të ripohoj e të konfirmoj me forcë se i vetmi Zot i jetës, nga agimi - deri në perëndimin e saj natyror, është vetëm Hyji! E detyra jonë është të bëjmë gjithçka është e mundur për ta mbrojtur jetën. Të mendojmë në heshtje, e të lutemi!”.

Françesku i kujtoi dy të sëmurët edhe në lutjen e Mbretëreshës Qiellore

Edhe në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, të dielën e kaluar, Papa u ndalua mbi rastin e Alfie, duke kujtuar edhe atë të Vincent Lambert, të cilin Spitali i Reims, ku është i shtruar, e njoftoi se do t’ia ndërpresë ushqimin dhe hidratimin e asistuar. Françesku ia besoi të dy lutjes së të gjithëve, duke kujtuar edhe njerëz të tjerë që, në vende të ndryshme, jetojnë shpesh herë gjatë, edhe pse të sëmurë rëndë, të asistuar mjekësisht për nevojat më jetike. “Janë situata delikate, shumë të dhimbshme e të ndërlikuara - kujtoi Papa - duke i ftuar besimtarët të luten që çdo të sëmuri t’i respektohet dinjiteti e të mjekohet në përshtatje me kushtet e  tij, me mbështetjen e  familjarëve, të mjekëve dhe të punonjësve të shëndetësisë, me shumë respekt për jetën”. Më 4 prillin e kaluar Françesku, në një tweet, pati kërkuar të bëhet gjithçka është e mundur për të vijuar dhembshurisht shoqërimin e Alfie Evans e për ta dëgjuar britmën e dhimbshshme të prindërve të tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.