2018-04-17 15:24:00

Siria, imzot Abou Khazen: problem i madh mbrojtja e shëndetit, mungojnë ilaçet


Përqendrohet mbi inspektorët, që arritën në Siri, vëmendja ndërkombëtare në këto çaste. Si arritën në Siri, të dërguarit e OKB-së duhet të hyjnë në Duma, lagje  e jashtme e kryeqytetit sirian, e goditur më 7 prillin e kaluar nga një sulm kimik i forcave të presidentit Bashar al Assad. Aty duhet të mbledhin kampionet biologjike dhe dëshmitë e nevojshme, për të arritur në një përfundim mbi çka ndodhi në këto vise, duke nisur nga përdorimi ose jo i armëve vdekjeprurëse, të ngarkuara me gaze si klori e sarini. Sipas Rusisë, aleate e regjimit të Damaskut, këtë mund ta bëjnë vetëm duke nisur që nesër. “Është dërguar një komision inspektorësh për të bërë hetime, por SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca, “pa e pritur fare rezultatin e hetimit, nxituan të sulmonin” - komenton imzot Georges Abou Khazen, mëkëmbës apostolik i Halebit të latinëve. Inspektorët duhet të kuptojnë nëse qeveria i përdori me të vërtetë armët kimike, apo këtë e bëri tjetërkush! Në Duma tani kanë hyrë policia siriane e rusët. Ndoshta nesër do të hyjnë edhe anëtarët e Opac. Ndërsa dje hynë të dërguarit e Agjencisë Reuters - vijon ipeshkvi.

Nuk mjafton angazhimi i Kishës, i Kryqit të Kuq e i Gjysëmhënës  

Në këndvështrimin humanitar, situata po përmirësohet - pohon imzot Khazen - në Haleb është kthyer drita elektrike e edhe uji, për pesëmbëdhjetë orë në ditë. Po kriza nuk ka përfunduar: natyrisht mbetet emergjenca, mbetet papunësia, inflacioni, shtrenjtësia e jetesës, pa harruar embargon kundër Sirisë. Edhe në këndvështrimin mjekësor - vijon prelati - masat ndëshkimore krijojnë pengesa për arritjen e ilaçeve. Prej këndej, problemi më i madh tani, është ai shëndetësor, posaçërisht për familjet. Me ndihmat e ofruara nga Kisha, nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar e nga Gjysëmhëna e Kuqe siriane, mund të  shkohet disi përpara. Vështirësitë nisin kur nis sëmundja, kur duhet bërë ndonjë operacion, ose kur duhen marrë ilaçe të veçanta, që nuk gjinden në Siri. Pikërisht në këto orë Mjekët pa Kufij flasin për 60 mijë vetë të ikur nga Ghouta lindore, në më pak se një muaj. Shumica, të plagosur gjatë luftimeve, kanë nevojë të ngutshme për mjekime. Vetëm brenda një dite - njofton organizata ndërkombëtare - spitali i Qalaat Al Madiq, i mbështetur nga Msf në një zonë kufitare, në Sirinë veri-lindore, ua hapi portat e strukturës 5000 vetëve. Po përsa u përket mjekimeve të specializuara, mund të bëhet pak e aspak.

Thirrja e Papës

Të dielën e kaluar, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa uroi të organizohet një aksion i përbashkët në favor të pajtimit në Siri, duke u bërë thirrje të gjithë drejtuesve politikë që të ketë epërsi drejtësia dhe paqja. Fjalët e Papës – pohon  imzot Abou Khazen - na japin guxim e shpresë, sepse është zëri i vetëm që kërkon dialog e paqe. Ne vijojmë të kërkojmë të mos u jepen armë atyre, që luftojnë. Kemi pasur në Siri 100 mijë luftëtarë të huaj: kush ua hapi udhën për të ardhur në Siri? Kush ua dha armët e para?  - pyet mëkëmbësi apostolik i Halebit të latinëve. “Me të vërtetë - siç thotë Ati i Shenjtë -  ndoshta i vetmi mjet  që kemi  e që na mbetet, është lutja. E të gjithë duhet të angazhohemi për të jetuar në paqe” – thekson. Për të bërë, në përfundim, thirrjen: “Na ndihmoni të rrimë së bashku, të dialogojmë, të flasim!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.