2018-04-17 14:01:00

Papa Karitaseve dioqezane: përherë më pranë të fundmëve


Me rastin e takimit të Karitaseve dioqezane italiane, Françesku dërgoi një mesazh,  përmes të cilit uroi të jenë gjithnjë më pranë të varfërve. Ndërsa Presidenti italian, Matarella, thekson se duhet ndërtuar një humanizëm, që i kapërcen shtytjet individualiste.

"Duhet promovuar një përkushtim gjithnjë më i plotë ndaj kauzës së njerëzve të fundmë e të varfër, duke arritur deri në periferitë njerëzore dhe ekzistenciale të shoqërisë së sotme, për të qenë apostuj të vërtetë të dashurisë së krishterë”. Kjo, ftesa e Papës Françesku me rastin e 40-vjetorit të Takimit kombëtar të Karitaseve dioqezane, që u hap dje pasdite në Albano Terme (Padovë). Takimi  me temë: “E re është… bashkësia që e ndan gjithçka bashkërisht”, do të vijojë deri më 19 prill, me pjesëmarrjen e 600 drejtorëve dhe veprimtarëve të 220 Karitaseve dioqezane.  

Në Kishën italiane, fryte bamirësie e mëshire të vërtetë

Në telegramin, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa kujton imzot Giovanni Nervo-n, kryetar i parë i Karitasit italian si dhe imzot Giuseppe Pasini-n, drejtor për një dekadë. “Me mendimin e tyre e me dëshminë e çmuar të jetës së tyre - pohon Papa -  e pasuruan Kishën italiane  me një trashëgimi që vijoi të japë fryte bamirësie e mëshire të vërtetë”.

 Të varfërit janë “pasporta jonë për parriz”

Në Meshën për Ditën botërore të të varfërve, kremtuar më 19 nëntor 2017, Papa pati thënë këto fjalë:  “Në të varfërit shikojmë praninë e Jezusit i cili nga i pasur,  u bë i varfër”(krh 2 Kor 8,9). Në ta, në ligështinë e tyre, ka një forcë shëlbuese, e ndonëse para syve të botës kanë pak vlerë, janë ata, që hapin udhën drejt qiellit. Të varfërit janë ‘pasaporta jonë për parriz’. Për ne është nevojë ungjillore të kujdesemi për ta, që janë pasuria jonë e vërtetë. E këtë duhet ta bëjmë jo vetëm duke u dhënë bukën e përditshme, por edhe duke thyer me ta Bukën e Fjalës,  e cila u përket më shumë se të gjithëve. Ta duash të varfërin, do të thotë të luftosh kundër të gjitha varfërive, shpirtërore e materiale”.

Mesazhi  i Presidentit Mattarella

Takimi mori edhe një mesazh nga presidenti italian Sergio Mattarella: “Bashkësia jonë kombëtare - shkruan kryetari i shtetit italian -  e ka vlerësuar në rrjedhë vitesh punën guximtare të Karitasit dioqezan, besnikërinë e përditshme ndaj njerëzve, si dhe angazhimin e sinqertë për respektimin e dinjitetit dhe të lirisë së të gjithëve”.

Montenegro: të varfërit kanë nevojë për miqësi

Duke hapur kuvëndimin, kardinali Francesco Montenegro, kryetar i Karitasit italian, kujtoi se të varfërit nuk kanë nevojë vetëm për shërbime, por edhe për  miqësi: “Duhet të mësohemi të rrimë pranë tyre e të ndërtojmë bashkësi plot gjallëri, të hapura, jo të mbyllura, si skutuliqe. Larg egoizmit, frikës, mosbesimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.