2018-04-15 07:00:00

Shenjtorët e javës 15 - 22 prill


Të dielën më 15 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e Tretë të Pashkëve. Gjithnjë mё 15 prill, kalendari përkujton shën Abondin, Damianin De Vuester e Maronin. Të dielën e kaluar, tema qendrore e leximeve biblike ishte feja si takim me të Krishtin e Ngjallur, që e mbush jetën me të vërtetën e si pasojë, nga ky takim rrjedhë dëshmia dhe misioni. Kjo e diele e tretë e Pashkëve nënvizon faktin se si kthimi në rrugën e Zotit dhe tek Zoti, është përcaktim që i kërkohet njeriut për t’ia mbërrijë së vërtetës së jetës së vet, së vërtetës që është Krishti Gjallë Zot.

Të hënën më 16 prill, kalendari përkujton shën Marinë Berndardetë Soubiroues, virgjër, shën Benediktin Jozef Labre. Në liturgjinë e ditës Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.  

Të martën më 17 prill, kalendari përkujton shën  Simeonin Bar Sabbà, ipeshkëv e martir  dhe Usthazade e shokët, martirë në Persi. Liturgjia e ditës na kujton se kulmi i dashurisë ndaj Zotit është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten me dashuri.

Të mërkurën më 18 prill, kalendari kishtar përkujton shën Galdinin, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal, shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut dhe Ancien, nënën e tij.Liturgjia e ditës na kujton se të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.

Të enjten më 19 prill, kalendari kishtar përkujton shën Leonin IX, papë. Liturgjia e ditës na kujton edhe një herë se Jezusi vjen nga Lart. Ai është Biri Hyjit që Ati e do, Ai që ka marrë Shpirtin Shenjt me begati e krejtësisht është lënë në duart e Tij. Të mos e pranosh Krishtin, të mos besosh në Birin Hyjnor, do të thotë të mos e takosh Hyjin në jetë. 

Po më 19 prill, përkujtohet edhe përvjetori i zgjedhjes së Shenjtërisë së Tij, Papës së nderit, Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit.

Të premten 20 prill, kalendari përkujton shën Aniçetin, papë e shën Anjezen nga Montepulçiano, virgjër dominikane. Liturgjia na kujton se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por Ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, duke u larguar nga skena e mrekullisë.

Të shtunën më 21 prill, kalendari përkujton shën Anselmin, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës e shën Apollonin, filozof e martir romak. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktis nxënësit e vet. Vetëm kur Krishti është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.

Të dielën e ardhshme më 22 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Katërt të Pashkëve Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është bari i mirë. Është bari i dhembshur që na thërret për emër. Jemi të pasur me hire e bekime hyjnore sepse kujtojmë e përkujtojmë mrekullitë që Zoti i ka bërë për njeriun, e ndjejmë nevojën për t’i dhënë “faleminderit” për gjithë atë që na është ofruar e që kemi marrë.

Gjithnjë më 22 prill, kalendari përkujton Shën Sotirin papë, Shën Kajon papë, shën Agapiton, papë e Shën Leonidën.








All the contents on this site are copyrighted ©.