2018-04-15 08:00:00

Gaudete et Exsultate: imzot Oder mbi shenjtërinë në jetën e përditshme


“Për të qenë shenjt, nuk është e nevojshme të jemi ipeshkvij, meshtarë, rregulltare apo rregulltarë”. “Të gjithë jemi të thirrur të jemi shenjt, duke jetuar me dashuri e duke ofruar, secili, dëshminë e vet në veprimtaritë e përditshme”. Këto, disa fraza të shkëputura nga Nxitja Apostolike e Papës Françesku “Gaudete et Exsultate” (Gëzohuni e galdoni), që u paraqit të hënën e javës së kaluar, në Vatikan.

Dokument, që i bën jehonë kapitullit V të Kushtetutës “Lumen Gentium”, në vazhdimësi me papninë e Shën Gjon Palit II, i cili pohonte gjithnjë se “jeta e përditshme, veprimtaritë e zakonshme, janë udhë shenjtërimi”. Mbi Nxitjen e re Apostolike të Papës dhe mbi temën e shenjtërisë në papninë e Bergoglios e të Vojtilës, intervistuam postulatorin e Ҫështjes së shenjtërimit të Shën Gjon Palit II, imzot Slavomir Oder:

 Papa Françesku flet me zemër e pikërisht prej pasurisë së zemrës buron edhe fjala e tij. Më bëjnë përshtypje aktualiteti dhe entuziazmi, që rrjedhin nga faqet e këtij dokumenti. Fjalë, që shoqërojnë gjithnjë ç’thotë Ati i Shenjtë me magjisterin, por edhe me gjestet e tij. Shenjtëria bën pjesë në qëndrimin e atij, që është takuar me Zotin dhe ia çon botës gëzimin e këtij takimi.

Me “Gaudete et Exsultate”, Papa Françesku rinovon thirrjen universale për shenjtëri, temë e pranishme edhe në papninë e Shën Gjon Palit II. Sipas jush, pse e nënvizojnë kaq shumë këtë temë të dy papët?

Të dy janë bij të Koncilit, që theksoi me forcë thirrjen universale për shenjtëri – e madje për herë të parë, e shtroi këtë temë që ta kuptonte i gjithë populli i krishterë – thirrje, që në të vërtetë, shpjegon kuptimin më të thellë të ekzistencës së Kishës. Kisha është shenjte, sepse është nusja e Krishtit, por është edhe nënë plot dashuri, që i orienton bijtë e saj drejt shenjtërisë. Duhet ta pranojmë këtë ftesë të Zotit. Zoti, që na jep jetën, ka për ne një plan të mistershëm e të mrekullueshëm për t’u realizuar. Për ta thënë me fjalët e shën Gjon Palit II: jeta e të krishterëve është ftesë për ta kthyer ekzistencën në kryevepër të vërtetë.

Këta dy papë konciliarë nënvizojnë pikërisht këtë: shenjtëria është sigurisht diçka e jashtëzakonshme, por arrihet, duke bërë gjëra të zakonshme, në jetën e përditshme…

Po, sepse masa e shenjtërisë së krishterë nuk janë veprat e jashtëzakonshme, por dashuria e jashtëzakonshme me të cilën bëhen veprat e përditshme. Siç thekson Papa Françesku në dokumentin e tij: shenjtëria nuk është diçka, që i përket vetëm një grupi të zgjedhurish brenda Kishës, nuk është vetëm për dijetarët, për të kulturuarit, por është dhuratë e Shpirtit Shenjt, që fryn ku dëshiron vetë e u paraprin veprave e hapave tona. Me praninë e tij, shenjtëron edhe thjeshtësinë e çdo gjesti të përditshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.