2018-04-13 13:09:00

Serbi: Suboticë, takim ndërfetar. Atë Gruber, "duam të tregojmë se dialogu i përditshëm është i mundur"


"Uniteti në diversitet - gëzohuni për dhuratat e të tjerëve": me këtë titull, në sallën e Bashkisë së qytetit të Vojvodinës, Suboticë, u mbajt sot një takim midis përfaqësuesve të Kishave dhe besimeve fetare tradicionale të qytetit. Veprimtaria u organizua nga atë Dragan Stokin, i Kishës ortodokse serbe, atë Zdenko Gruber, epror i kuvendit françeskan të Suboticës, i Kishës Katolike dhe nga Robert Sabadosh, kryetar i komuniteteve hebraike në Serbi, së bashku me presidentin e komunitetit islam, Uzairi Ibazer. Mysafir nderi në këtë takim ishte atë Richard, nga komuniteti Taizé-s, i cili mbajti edhe një ligjeratë mbi temën e unitetit dhe pluralizmit fetar.

Takimi është pjesë e një serie ngjarjesh ndërfetare, që filluan para disa vitesh nën sloganin "Zoti dhe bijtë e Abrahamit". "Është një iniciativë që fillon nga baza, pra, nga poshtë, nëse mund ta përcaktojmë në këtë mënyrë", shpjegon françeskani atë Zdenko Gruber, "për të nxitur dialogun midis feve dhe besimeve të ndryshme të krishtera, duke dhënë kështu një dëshmi e duke treguar se dialogu është i mundur e madje sot është më shumë se kurrë i nevojshme". Sipas tij ngjarje të tilla ndihmojnë për "të njohur njëri-tjetrin më mirë dhe për të marrë pjesë në gëzimin e dhimbjen e të tjerëve, pa u futur në diskutime rreth çështjeve fetare që nuk çojnë drejt harmonisë e pajtimit".

Françeskani atë Gruber tregon se Subotica, është një nga qytetet kryesore të Vojvodinës, rajonit autonom të Serbisë me shumicë katolike, 70% e popullsisë është katolike, ndërsa 25.5% e popullsisë është ortodokse. "Përveç këtyre takimeve zyrtare, me vëllezërit e besimeve dhe të feve të tjera, ne si Kishë katolike mbajmë kontakt të përditshëm për të ndihmuar njëri tjetrin dhe frekuentojmë festimet e ndryshme te njëri tjetri".








All the contents on this site are copyrighted ©.