2018-04-13 10:37:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3- të të kohës së Pashkëve “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, e kësaj radhe do të degjojmë e demitojmë leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të të kohës së Pashkëve, ciklit të dytë. Jezusi personalisht zuri vend në mesin e apostujve dhe u tha: “Paqja me ju!”. Dishepujt i dëgjuan faktet e ngjarjes së Emausit, kur Jezusi i Gjallë u duket atyre përsëri, mirëpo ata nuk arrijnë ta njohin akoma (Ungjilli).

Ungjilli kësaj së diele nga Luka 24,35-48, na paraqet manifestime tjera të Jezusit të Ngjallur para dishepujve të vet. Është gjithmonë Jezusi ai që merr nismën për t’i befasuar Njëmbëdhjetë apostujt, ndërsa ata po përgatiteshin për të kumtuar se i Ngjalluri i është dukur Simonit (krh Lk 24,34) dhe dy nxënësve shtegtarë në udhën e Emausit. Të mahnitur e të frikësuar besonin se po shihni një fantazmë. Pra, Ungjilli i kësaj së diele të tretë të Pashkëve, na tregon një tjetër ngjarje të Krishtit të Gjallë, pas vizitës në agim të grave në varrin e zbrazët (shih Lk 24.1-11), vrapimit të Pjetrit tek varri i Krishtit (cf Lk 24,12), manifestimi i të Ringjallurit "si i huaj" (Lk 24,18) para dy dishepujve në rrugën e tyre drejt Emausit (shih Lk 24: 13-35).

Po atë ditë, "e para e javës" (Lk 24: 1), dita e vetme e ringjalljes, por në mbrëmje, dy dishepujt u kthyen në Jeruzalem në dhomën e sipërme (shih Lk 22:12; ), për t'u treguar të Njëmbëdhjetëve dhe të tjerëve se "si e panë dhe njohën Jezusin e Gjallë në thyerjen e bukës" (Lk 24,25). Dhe ja se, papritmas, dishepujt e kuptojnë se Jezusi është në mesin e tyre dhe u drejton fjalën e tij: "Paqja qoftë me ju!".

Jezusi Gjallë nuk u drejtohet apostujve me fjalë qortuese për ikjen në momentin e arrestimit të tij, nuk e qorton Pjetrin për mohimin e tij, nuk thotë asgjë për faktin se ata nuk janë më dymbëdhjetë, siç i kishte thirrur dhe i kishte themeluar si bashkësi (cfr Lk 6,13 , 9.1), por vetëm njëmbëdhjetë, sepse tradhtari, Juda, ka shkuar. Jo, Jezusi Gjallë u thotë apostujve: "Shalom 'aleikhem! Paqe me ju! ", një përshëndetje e zakonshme për hebrenjtë, por që atë mbrëmje kjo fjalë jehojë me një forcë të veçantë. Kjo përshëndetje, drejtuar dishepujve të tronditur thellë e të shqetësuar nga ngjarjet e mundimeve e të vdekjes së Jezusit, do të thotë së pari: "Mos kini frikë!".

Ringjallja e ka transformuar rrënjësisht Jezusin, e ka shndërruar atë, e ka bërë "tjetër" në dukje, sepse tani "ka hyrë në lavdinë e tij" hyjnore (krh. Lk 24,26) dhe mund të njihet nga dishepujt vetëm përmes aktit të fesë. Ky akt feje është i vështirë dhe i mundimshëm: të Njëmbëdhjetët luftuan për ta jetuar fenë e tyre, për ta zbatuar në jetën e përditshme... Nuk është rastësi që Luka vëren se dishepujt "janë të tronditur dhe të frikësuar, besojnë se shohin një fantazmë", në të njëjtën mënyrë me të cilën dishepujt në rrugën e Emausit besonin se panë një shtegtar.

Atëherë Jezusi i pyet: «Pse jeni të shqetësuar, dhe pse lindin dyshime në zemrën tuaj? Shikoni duart dhe këmbët e mia: jam pikërisht unë! Më prekni e shikoni; një fantazmë nuk ka trup e eshtra, siç e shihni se unë kam”. Duke thënë këtë, Jezusi Gjallë u tregon dishepujve duart dhe këmbët e tij me shenjat e kryqëzimit. Po, i Ngjalluri nuk është tjetër veçse Ai që qe kryqëzuar!

Kjo ekspozitë e Jezusit me duart dhe këmbët e tij të shporuara nga kryqëzimi është një gjest që u kërkon dishepujve të tij që ta takojnë para së gjithash në shenjat e vuajtjes, të mundimit e të vdekjes. Trupi i plagosur i Krishtit është trupi i plagosur i njerëzimit, është trupi i të varfërve, të uriturve, të sëmurëve, të shtypurve, viktimave të padrejtësisë e të dhunës! Pa këtë takim shumë real me vuajtjet e trupit, Krishti nuk takohet, dhe vetë Ringjallja mbetet një mit.

Megjithatë, përkundër këtyre fjalëve e këtij gjesti, dishepujt nuk arrijnë të besojnë, përkundër emocionit të lumtur, nuk arrijnë deri te besimi, deri te feja. Është e vërtetë, ne qeniet njerëzore mund të vijmë lehtë deri te religjioni, por mezi arrijmë deri te feja, deri te besimi; i jetojmë me lehtësi emocionet "e shenjta" ose fetare, por me vështirë e pranojmë Jezu Krishtin dhe fjalën e Tij. Në komunitetin e njëmbëdhjetë apostujve, ne duhet të lexojmë historinë e bashkësive tona, në të cilat besohet dhe rrëfehet feja, por nganjëherë shfaqet edhe mosbesimi.

Megjithatë, Krishti Ngjallur ka durim të madh, prandaj i ofron bashkësisë së tij një fjalë të dytë dhe një gjest të dytë. Jezusi i pyet dishepujt nëse kanë diçka për të ngrënë, dhe ata i ofrojnë Jezusit pak peshk të pjekur, ushqimin që rregullisht e hanin së bashku, kur e jetonin aventurën e jetës së zakonshme në Galile. Pasi mori ushqimin, Jezusi Gjallë ngrëni para dishepujve! Pra, Jezusi u jep dishepujve këto shenja, të cilat në realitet përmbajnë të vërtetën e papërshkrueshme, në mënyrë që ata të besojnë se i Kryqëzuari (Jezusi) me të vërtetë e fitoi vdekjen. Trupi i Tij i kryqëzuar është tani trup i gjallë, trup që jeton, "një trup shpirtëror" (1 Kor 15,44), dmth., i gjallë në Shpirt, do të thotë Pali apostull.

                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 3, 13-15.17-19
Pjetri pasi ka shëruar të paralizuarin që kërkonte lëmoshë në hyrjen e tempullit shpall ringjalljen e Krishtit. Kjo mrekulli është prova që Jezusi nuk ka vdekur përfundimisht, por vazhdon veprën e tij në një mënyrë të re mes njerëzve. Ai është ringjallur, dhe apostujt janë dëshmitarët. Është akoma e mundur të njohim të Gjallin dhe ta ndjekim.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, Pjetri i tha popullit: “Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë. Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjakësori kurse jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë. Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.


Psalmi 4
Le të shndrisë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate


Kur të thërras në ndihmë,
më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime!
Ti që më shpëtove në vështirësi:
ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!

Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, 
Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë. 
Flijoni fli drejtësie, e shpresoni në Zotin!

Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?”
Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate! 
Posa bie në shtrojë, gjumi menjëherë më merr në qetësi, 
sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.

Leximi i dytë 1 Gjn 2, 1-5
Të duash një person do të thotë të pranosh në vetvete dobësinë e tij: Jezusi është vendosur nga ana e të akuzuarve. Të duash do të thotë të shndërrosh jetën tënde në funksion të nevojave të të tjerëve. Dashuria që unë provoj për Jezusin do të jetë e vërtetë vetëm nëse zbatoj urdhërimet e tij. Vetëm kështu do të mund të shfaq besnikërinë time konkrete.

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fëmijëzit e mi, po ju shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati: Jezu Krishtin, të Drejtin. Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tija. Kush thotë: “Unë e njoh Atë”, por nuk i mban urdhërimet e tija, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të. Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtetësisht dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja Aleluja 

O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt, dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde.
Aleluja. Aleluja

Ungjilli Lk 24, 35-48
Nga dita e ringjalljes çdo meshë është një Pashkë. Të krishterët mblidhen në meshë për të kujtuar vdekjen e Jezusit; dhe Ai vjen në mes tyre i ringjallur dhe lejon që ata të prekin trupin e tij. Bashkimi me Krishtin dhe familjariteti mes tyre i mbush me siguri, gëzim dhe forcë. Fjala e Hyjit që dëgjojnë së bashku i jep kuptim jetës së tyre dhe historisë së botës. Liturgjia e tyre përfundon me misionin: pas meshës dërgohen në botë për të dëshmuar Krishtin e ringjallur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, pasi që u kthyen nga Emausi, dy nxënësit u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën. Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në midis të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? Shikoni duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë. Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.
Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme’.” Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet dhe u tha: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.