2018-04-12 13:42:00

Papa: dëshmia e krishterë nuk e shet të vërtetën dhe jep bezdi


Dëshmia e krishterë jep bezdi, nuk e shet kurrë të vërtetën, siç dëshmojnë të krishterët e shumtë, vrarë e persekutuar, sot, më shumë se në shekujt e parë. Ndërsa, kompromiset e kthejnë të krishterin në besimtar të vakët. Prandaj, duhet t’i lutemi Zotit ta kujtojmë takimin e parë me Krishtin, që na ka ndryshuar krejtësisht jetën. Kështu tha sot, Papa Françesku, në homelinë e meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, për herë të parë, pas periudhës së Pashkëve. Bindja, dëshmia, të qenit konkret: këto janë tri karakteristikat, që rrjedhin nga gëzimi i Pashkëve e mbi të cilat reflektoi Ati i Shenjtë.

Gëzimi i Pashkëve

50 ditët e kohës së Pashkëve, vërejti Papa, ishin për apostujt “koha e gëzimit”, sepse Krishti u ngjall. Gëzim i vërtetë, por akoma me shumë dyshime e frikë, sepse të gjithë nuk ishin të sigurtë si do të shkonin gjërat më tej. Ndërsa me zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi apostujt, gëzimi bëhet “i guximshëm”: më parë “kuptonin, sepse e shihnin Zotin, por nuk merrnin vesh gjithçka”; ishin të kënaqur, por nuk arrinin t’u shkonin punëve deri në fund. “Qe Shpirti Shenjt, që i bëri të kuptojnë çdo gjë”, theksoi Papa.

Bindje do të thotë të bësh vullnetin e Zotit

 Apostujve iu ndalua ta kumtonin Jezusin e, megjithatë, pas lirimit nga burgu përmes një engjëlli, kthehen e predikojnë në Tempull, kujtoi më tej Ati i Shenjtë. Siç tregohet në Leximin e parë të sotëm, marrë nga Veprat e Apostujve (Vap 5,27-33), ata çohen para Sinedrit, ku Kryeprifti u kujton se u është ndaluar të predikojnë në emër të Jezusit. “Duhet t’i bindemi Zotit e jo njerëzve”, i përgjigjet Pjetri. Fjala “bindje” përsëritet edhe në Ungjillin e sotëm (Gjn 3,31-36). E Papa e nënvizon, sepse, pasi mbi dishepujt zbriti Shpirti Shenjt, jeta e tyre kthehet në “bindje”. Bindje për të ndjekur udhën e Krishtit, i cili “u bind deri në fund”, siç dëshmon skena ungjillore në Malin e Ullinjve. Bindje, që do të thotë të bësh vullnetin e Zotit. Bindja, nënvizoi Papa, është udha, që na ka hapur Biri i Hyut e i krishteri i bindet Zotit.

Paratë janë të kësaj bote

Ndërsa priftërinjtë, që donin të komandonin, vërejti më tej Françesku, rregulluan gjithçka me para nën dorë: “korrupsioni arriti deri në Varrin Shenjt”. Kështu i zgjidh punët bota, me “gjëra të kësaj bote”. E para, theksoi Papa, është paraja, zoti i së cilës është djalli. Vërtet, vetë Jezusi thotë se nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve.

Të krishterët e persekutuar

Karakteristika e dytë e apostujve është “dëshmia”: “dëshmia e krishterë jep bezdi”, vuri në dukje Ati i Shenjtë. Edhe ne vetë e kërkojmë pak rrugën e kompromisit ndërmjet botës e nesh, por “dëshmia e krishterë nuk i njeh udhët e kompromisit”. “Njeh udhën e durimit në shoqërimin e njerëzve, të cilët nuk e mendojnë si ne, nuk kanë të njëjtën fe. Duhet t’i tolerojmë, t’i shoqërojmë, por kurrë të mos e shesim të vërtetën” e fesë sonë, theksoi Papa. E pastaj, sintetizoi:

 Së pari, bindja. Së dyti, dëshmia, që jep shumë bezdi. Mjafton të mendojmë për gjithë persekutimet që nga zanafilla e deri më sot… Të mendojmë për të krishterët e persekutuar në Afrikë, në Lindjen e Mesme… E sot ka më shumë se në kohët e para… të burgosur, të therur, të varur, vetëm pse besonin në Krishtin. Dëshmi deri në fund.

Të jemi konkretë, jo të krishterë të vakët

Apostujt ishin konkretë, u ndal Papa në tiparin e tyre të tretë. Flisnin për gjëra konkrete, nuk tregonin përralla. Prandaj, ashtu si apostujt, që panë e prekën, “secili prej nesh – nënvizoi Ati i Shenjtë – e ka prekur Jezusin me jetën e vet”:

Ndodh që shpesh, mëkatet, kompromiset, frika, na bëjnë ta harrojmë këtë takim të parë, takimin që na ka ndryshuar jetën. Eh po, na e lënë kujtimin, por është kujtim i zbehtë; po, bëhemi të krishterë, por ‘të vakët’. Jemi të ujshëm, të sipërfaqshëm. T’i lutemi gjithnjë Shpirtit Shenjt për hirin e të qenit konkretë. Jezusi ka kaluar në jetën time, në zemrën time. Shpirti Shenjt ka hyrë në mua. Ndoshta, më vonë, e kam harruar këtë, por, ta kërkojmë hirin e kujtesës së takimit të parë.

E ta kërkojmë edhe gëzimin e Pashkëve, përfundoi Papa Françesku:

Ta kërkojmë për njëri-tjerin, ama, atë gëzim, që vjen nga Shpirti Shenjt, që na e jep Shpirti Shenjt: gëzimin e bindjes së Pashkëve, gëzimin e dëshmisë së Pashkëve dhe gëzimin e të qenit konkret, që na e dhurojnë Pashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.