2018-04-11 14:21:00

Veprimtaria e Papës deri në festën e Rrëshajëve


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të njohur kalendarin e vizitave të ardhshme baritore të Papës, të takimeve e të kremtimeve papnore deri në ditën e Rrëshajëve.

         Të premten, më 20 prill, Françesku do të shkojë për vizitë baritore në Alessano dhe Molfetta, 25 vjet pas vdekjes së don Tonino Bello-s, ipeshkëv italian, që e kanë thirrur gjithnjë si meshtar e për të cilin vijon çështja e Lumnimit. Të dielën, më 22 prill, Ati i Shenjtë do të kryesojë meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë së cilës do të shugurojë disa meshtarë, në Ditën botërore, që Kisha Katolike ia kushton lutjes për thirrjet meshtarake.

         Muaji i majit, fillon me vizitën në shenjtëroren romake të Dashurisë Hyjnore, më 1 maj, ku Papa do të thotë Rruzaren së bashku me besimtarët, në orën 17.00. Nis kështu, muaji kushtuar Zojës së Bekuar. Të shtunën, më 5 maj, në orën 11.00, Ati i Shenjtë do të jetë në Universitetin romak Tor Vergata, me rastin e takimit për 50-vjetorin e Ecjes Neokatekumenale, që bie, saktësisht, më 8 maj. Ndërkaq, dy ditë më pas, më 10 maj, Papa Bergoglio do të shkojë për vizitë baritore në Nomadelfia dhe në Loppiano, qyteza e Lëvizjes së Fokolarinëve. Më 19 maj, në orën 10.00, në Sallën e Koncistorit, Ati i Shenjtë do të kryesojë një koncistor të jashtëzakonshëm publik për disa çështje kanonizimi. Më 20 maj, të Dielën e Rrëshajëve, Papa do të kremtojë meshën e Solemnitetit në orën 10.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.