2018-04-09 16:38:00

Raporti Astalli: më shumë vështirësi për emigrantët, por edhe më shumë integrim


Për Perëndimin, “sfida kryesore është favorizimi i takimit ndërmjet popullsive dhe kulturave”, duke i shndërruar kështu ndryshimet në burim pasurimi reciprok. Me këto fjalë shprehej Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në bisedën me  gazetarin Ferruccio De Bortoli-n, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatit. Teksti i plotë i kësaj bisede mbyll Raportin Vjetor 2018 të Qendrës së jezuitëve “Astalli”, që u paraqit sot paradite në Romë. Dokumenti fotografon gjendjen e azilkërkuesve dhe të refugjatëve nga janari deri në dhjetorin e vitit të kaluar. Është fjala për njerëz, që kanë hyrë në kontakt me këtë Qendër.

Integrimi, sfida më urgjente

         Ajo që del nga raporti 2018 i Qendrës Astalli – selia italiane e Shërbimit ndërkombëtar të Jezuitëve për Refugjatët – është rritja e problemeve të kërkimit të mbrojtjes nga ana e refugjatëve të mundshëm dhe vështirësia për të hyrë në një sistem mikrpritjeje unik e të standartizuar në të gjithë territorin italian, pavarësisht nga ulja e numrit të mbërritjeve në Itali gjatë vitit 2017 (rreth 119 mijë vetë, në krahasim me 181 mijët e vitit të mëparshëm).

         “Qendrat e Jashtëzakonshme të Mikpritjes (CAS) – nënvizon raporti – mbeten zgjidhja mbizotëruese, ndërsa rrjeti i Sistemit të Mbrojtjes për Azilkërkuesit dhe për Refugjatët (SPRAR), në korrik 2017, mbulonte vetëm diçka më pak se 15% e rreth 205 mijë vendeve të mundshme”. Raporti vë në dukje se, pavarësisht nga përpjekjet për racionalizimin e sistemit, kalimi nga faza e parë në fazën e dytë të mikpritjes bëhet me vonesë e për një numër të kufizuar personash, duke penalizuar integrimin.

Arrijnë më pak, por me histori më dramatike

         Është ulur numri i personave, që mbërrijnë në Evropë me kërkesën për mbrojtje, sepse janë ngritur qendrat famëkeqe, që i mbajnë emigrantët në Libi. Por, nënvizon Qendra Astalli, ndër ata që mbërrijnë, rritet numri i njerëzve – viktima të dhunës e të torturës, njerëz të traumatizuar nga udhëtimi e nga burgosja në Libi, ku jetojnë në kushte kritike. Ndërkaq, vdekshmëria gjatë udhëtimit ka mbetur e pandryshuar, dy ndër 100 emigrantë.

Rëndësia e integrimit

         Nota pozitive e raportit ka të bëjë me rritjen e numrit të personave, që kanë dalë nga qendrat e mikpritjes dhe janë integruar në shoqëri. Flitet për një rritje prej 27% të njerëzve, që tashmë jetojnë në bashkësi pritëse, ku vijojnë udhën e integrimit të plotë, si edhe për një rritje prej 50% të atyre, që kanë arritur të jenë gjysëm autonomë. Puna dhe shtëpia, nënvizon raporti, mbeten pikënisje të domosdoshme për integrimin në çdo shoqëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.